Tragjedi në Greqi, orteku iu merr jetën 4 alpinistëve

Katër alpinistë janë gjetur të pajetë në malet Vardusia të Greqisë, pasi u goditën nga një ortek bore në kushte të vështira atmosferike.

27.12.2025. 17:57

Tragjedi në Greqi, orteku iu merr jetën 4 alpinistëve

Katër alpinistë kanë humbur jetën tragjikisht në Greqi, pasi u goditën nga një ortek bore në malet Vardusia, në rajonin e Fokidës. Trupat e tre burrave dhe një gruaje u gjetën pas disa ditësh kërkimesh intensive, në një zonë shumë të vështirë për t’u aksesuar, pranë njëri-tjetrit, çka tregon se ata nuk patën kohë të reagojnë kur orteku i goditi.

Sipas autoriteteve greke, alpinistët ishin shpallur të zhdukur pasi nuk u kthyen nga ecja malore e nisur në mëngjesin e Krishtlindjes. Ata kishin dalë nga fshati Athanasios Diakos me synimin për të arritur majën Korakas. Automjeti i tyre u gjet më herët, ndërsa alarmi për zhdukjen u dha më vonë gjatë së njëjtës ditë.

Operacioni i kërkim-shpëtimit përfshiu rreth 30 zjarrfikës, ekipe alpinistësh, mjete të specializuara, dronë dhe helikopterë. Megjithatë, kushtet e vështira atmosferike dhe terreni i thyer e bënë ndërhyrjen tepër të ndërlikuar. Autoritetet njoftuan se transportimi i trupave do të kryhet me helikopter, sapo kushtet e motit ta lejojnë, pasi vendndodhja është shumë larg rrugëve kryesore.

Sipas sindikatës së zjarrfikësve, të dhënat paraprake tregojnë se alpinistët mund të kenë humbur orjentimin. Lartësia e madhe, terreni i pjerrët, dukshmëria e ulët, reshjet e dendura të borës dhe erërat e forta besohet se kanë kontribuar ndjeshëm në ngjarjen fatale. Edhe pse disa prej anëtarëve të grupit kishin përvojë në alpinizëm, kushtet ekstreme të motit e bënë të pamundur shmangien e tragjedisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)