“Nuk mbijetojmë dot vetëm”, Presidentja moldave: Do votoja pro ribashkimit me Rumaninë

Presidentja moldave, Maia Sandu, ka thënë se do të votonte në favor të ribashkimit me Rumaninë nëse çështja do të shkonte në një referendum.

Burimi: Politico

12.01.2026. 23:15

“Nuk mbijetojmë dot vetëm”, Presidentja moldave: Do votoja pro ribashkimit me Rumaninë

Presidentja moldave, Maia Sandu, ka thënë se do të votonte në favor të ribashkimit me Rumaninë nëse çështja do të shkonte në një referendum. Ajo e ka shpjeguar votën e saj pro bashkimit me argumentin se po bëhet gjithnjë e më e vështirë për vendin e saj të mbijetojë i vetëm.

“Shikoni çfarë po ndodh rreth Moldavisë sot . Shikoni çfarë po ndodh në botë. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për një vend të vogël si Moldavia të mbijetojë si demokraci, si vend sovran dhe, sigurisht, t’i rezistojë Rusisë”, shpjegoi Sandu, e cila udhëheq një qeveri pro-evropiane, në podkastin britanik The Rest is Politics.

Megjithatë, Sandu pranoi se ideja e ribashkimit me Rumaninë nuk mbështetet nga shumica në vendin e saj, ndryshe nga anëtarësimi në BE, për të cilin vendi aplikoi në vitin 2022 dhe të cilin ajo e përshkroi si më realist.

Siç tregojnë sondazhet e fundit 2/3 e popullsisë në Moldavi janë kundër ribashkimit me Rumaninë. Në Rumani, nga ana tjetër, përqindje më të larta janë në favor të bashkimit të dy vendeve.

Me një popullsi prej rreth 2.4 milionë banorësh, Moldavia, e vendosur midis Rumanisë dhe Ukrainës, është bërë një objektiv i luftës hibride të Rusisë, e cila përfshin dezinformimin dhe manipulimin e zgjedhjeve.

Në një referendum të vitit 2024, moldavët votuan me një shumicë të ngushtë, vetëm 50.4% të votave, në favor të anëtarësimit në BE, në një garë të dëmtuar nga ndërhyrja ruse.

Ndërkohë, Sandu u rizgjodh presidente në një votim paralel me rreth 55% të votave, duke mposhtur kundërshtaren e saj pro-ruse.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)