LIVE/ Kuvendi nuk i jep autorizim SPAK për Ballukun, Berisha: Rama bëri vetëvrasje politike

Brenda perimetrit të sigurisë janë pozicionuar gjithashtu edhe automjete me ujë me presion dhe mjete zjarrfikëse, në rast të përshkallëzimit të situatës.

12.03.2026. 09:48

LIVE/ Kuvendi nuk i jep autorizim SPAK për Ballukun, Berisha: Rama bëri vetëvrasje politike

Ora 11:43 - Sali Berisha: Më 22 mars mbajmë protestën e radhës Kombëtare

Nga selia e Partisë Demokratike, duke mbyllur protestën e kësaj të enjteje, Sali Berisha ka njoftuar se protesta e radhës kombëtare e opozitës do të mbahet më 22 mars.

Ora 11:32 - Berisha: Rama sot bëri vetëvrasje politike

“Edi Rama bëri vetëvrasje politike me votimin në Kuvend. Ai sot votoi për veten e tij, votoi për të mbrojtur vjedhjen që ka bërë. Ai doli sot si qeveritari më i poshtëruar në historinë tonë dhe të Europës. Kjo që ndodhi sot është autorizimi më i plotë për kryengritjen më të madhe tonën. Të vazhdojmë të pamposhtur. Vazhdojmë kryengritjen tonë madhështore deri në largimin e tij të plotë”, tha Sali Berisha teksa ju bashkua protestës.

Ora 11:26 - Kuvendi nuk i jep autorizim SPAK për Ballukun, kërkesa rrëzohet me 82 vota

Kërkesa për autorzim e kërkuar nga SPAk për Belinda Ballukun u rrëzua me 82 vota kundër dhënies së lejes dhe 47 pro. 

Opozita pas votimit me pankartat në duar kanë kundërshtuar votimin duke bllokuar foltoren e Kuvendit. Ndërsa socialistët vijuan me votimin e rendit të ditës dhe më pas mbyllën seancën.

Ora 11:25 - Balliu i bashkohet protestës jashtë parlamentit: Bëhuni polici e shtetit, jo pushtetit

 Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu iu bashkua protestuesve të opozitës para Kuvendit, duke bërë thirrje për reagim kundër qeverisë dhe duke i kërkuar policisë të mos i shërbejë pushtetit politik.

Balliu ndodhet jashtë sallës së Parlamentit, pasi është përjashtuar për 10 ditë nga seancat plenare me vendim të Sekretariatit të Etikës. Nga protesta para Kuvendit, ai u drejtua me një mesazh edhe efektivëve të policisë, duke i ftuar që të bashkohen me qytetarët.

“Bëhuni polici e shtetit dhe jo polici e pushtetit. Një polici që i shërben hajdutit është polici e pushtetit dhe jo e shtetit”, deklaroi ai para protestuesve.

Deputeti demokrat tha se qytetarët duhet të reagojnë kundër asaj që e cilësoi si një pushtet që, sipas tij, ka dëmtuar vendin për më shumë se një dekadë.

“Shqipëria na thërret të reagojmë kundër një pushteti që për 14 vite largoi 1.4 milionë shqiptarë për të mbushur xhepat me paratë e qytetarëve. Ka vetëm një mënyrë që paratë e qytetarëve të përdoren për qytetarët: të largohet kjo qeveri”, u shpreh Balliu.

Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, analistë pranë qeverisë po përpiqen të justifikojnë veprime që, sipas opozitës, përbëjnë kërcënim për pavarësinë e drejtësisë dhe sigurinë e dëshmitarëve.

Gjatë fjalës së tij, Balliu deklaroi se opozita do të vazhdojë protestat dhe përballjen politike me qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

“Ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas derisa drejtësia të fitojë dhe vendi të dalë nga kjo situatë”, tha ai, ndërsa protesta e opozitës vijon para Parlamentit.

Ora 11:05 - Ulsi Manja prezanton raportin e PS: Votimi për Ballukun, mekanizëm për balancën institucionale

Ulsi Manja i Partisë Socialiste ka prezantuar në seancë plenare raportin e socialistëve për Belinda Ballukun. Ai tha se nuk është një votim i zakonshëm, por mekanizëm thelbësor për ruajtjen e balancës institucionale. Sipas tij nuk është i nevojshëm ndryshimi i akuzës pasi ish zv,kryeministrja nuk akuzohet për korrupsion.

"Kuvendi nuk është sot përballë një votimi të zakonshëm procedural, po një vendimmarrje që prek drejt për së drejti lirinë personale të një deputeti, ushtrimin e mandatit përfaqësues dhe  balancën mes pushteteve në një shtet demokratik. Kërkesa e SPAK synon sot zvendësimin e masës së sigurimit personal të ndalimit të daljes jashte shtetit me një masë më të rëndë, atë të arrrestit me burg të deputetes Belinda Balluku që po hetohet as më shumë e as më pak për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike dhe jo akuzë korrupsioni. Kuvendi sot nuk ka kompetecnë të zëvendësojë gjykatën, po jemi ftuar të bëjmë një filtër kushtetues të kësaj kërkese dhe ky filtër nuk mund të jetë formal, por mekanizëm thelbësor për ruajtjen e balancës institucionale", tha Manja. 

Ora 10:45 - "Dorëheqje ose qeveri tenike", protesta e deputetëve demokratë në Kuvend me pankarta

 Teksa opozita proteston jashtë dyerve të Kuvendit, ku në seancë plenare votohet për autorizimin e kërkuar nga SPAK për ish zv. kryeministren Belinda Balluku, deputetët e opozitës kanë zgjedhur që në sallë të protestojnë me pankarta.

Foto: Kuvendi i Shqipërisë

Ata mbajnë mbi tavolinat e tyre pankarta që lexojnë "Dorëhiqu ose qeveri teknike", "Wanted" etj.

Mjaft protestues janë mbledhur jashtë sallës së seancave plenare, teksa janë rreth 1500 efektivë policie në terren për mbarëvajtjen e protestës.

Ora 10:45 - Taulant Balla me gardist në seancë, Noka i ankohet Peleshit

Pas tensioneve në seancën e mëparshme parlamentare mes Taulant Ballës dhe opozitës, për fjalët e përdorura ndaj deputetes Albana Vokshi, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në seancën e sotme është parë t'i qëndrojë afër një gardist.

Foto: Kuvendi i Shqipërisë

Kjo është vënë re nga demokratët të cilët i janë ankuar kreut të Kuvendit Niko Peleshi për këtë. 

Fjala "0900" e përdorur për numrin e telefonit të deputetes demokrate Albana Vokshi rriti tensionet në seancën e kaluar ku deputetët e opozitës që të ndërprisnin seancën dhe të kërkonin përjashtimin e Ballës.

Ora 10:27 - Nis seanca plenare, Bylykbashi: Votoni pro autorizimit për Ballukun

Në nisje të seancën plenare, Oerd Bylykbashi ka lexuar raportin e opozitës përgatitur në Këshillin e Mandateve për autorizimin e kërkuar nga SPAK për Belinda Ballukun, duke i kërkuar deputetëve të votojnë pro. 

"Një nga seancat që do të lerë gjurmë për mënyrën si Kuvendi garanton të drejtën e shqiptarëve për mirëqeverisje. Sot në emër të 5 deputetëve anëtarë të Këshillit të Mandateve do të lexoj një përmbledhje të raportit të opozitës mbi kërkesën e SPAK për rastin Balluku. Kuvendi më 16 dhjetor u vu në lëvizje nga SPAK ku u kërkua dhënia e autorizimit për arrestimin e Ballukut, kërkesë e shoqëruar me provat e plota dhe relacionin përkatës. Kuvendi duhet të japë autorizimin", tha ai. 

Ora 10:15 -Reagimi i Ambasadës Britanike para votimit për Ballukun: Askush mbi ligjin!

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se imuniteti parlamentar nuk duhet të shndërrohet në pengesë për barazinë para ligjit. Ky qëndrim erdhi vetëm pak çaste përpara se Kuvendi të mblidhej për të shqyrtuar dhe për të votuar rreth çështjes së imunitetit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.

Në reagimin e saj, ambasada nënvizoi rëndësinë e respektimit të shtetit të së drejtës dhe të pavarësisë së sistemit gjyqësor. Po ashtu vlerësohet progresi që Shqipëria ka bërë në reformën në drejtësi prej vitit 2016, përfshirë ngritjen dhe funksionimin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas Ambasadës Britanike, bashkëpunimi dhe balanca mes pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor janë thelbësore për të mbështetur këtë proces reformash. Këto institucione konsiderohen partnerë të barabartë në forcimin e institucioneve demokratike dhe në avancimin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Në përfundim të reagimit theksohet se imuniteti nuk duhet të përdoret si një mekanizëm që pengon llogaridhënien e barabartë të kujtdo përpara ligjit.

REAGIMI I PLOTË I AMBASADËS BRITANIKE:

Ambasada Britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK-ut. Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE. Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit.

Ora 10:08 - Berisha para Parlamentit: Rama, kryeministri më i poshtëruar, po shkelmon Kushtetutën për të mbrojtur vjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se qytetarët po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa opozita zhvillon protestë para Kuvendit në ditën e seancës plenare. Para se të hynte në Parlament, Berisha përshëndeti mbështetësit e mbledhur jashtë dhe i falënderoi për praninë e tyre.

Sipas tij, vendi ndodhet në një situatë të rëndë dhe dorëheqja e kryeministrit është zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza.

“Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si zgjidhjen e vetme të kësaj situate dramatike që po përjeton vendi. Në një kohë kur Rama, njeriu më i poshtëruar në detyrë sot, në të gjithë hapësirën e BE dhe më gjerë, nuk ka sot një kryeministër më të poshtëruar para botës dhe popullit të tij si Rama. I poshtëruar sepse po shkelmon ligjet dhe Kushtetutën për të mbrojtur vjedhjet e tij”, tha Berisha.

Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, kryeministri po dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Po mbyll dyert e BE për Shqipërinë. Aty ku bën ligje në Kuvend, firmën ia merr pëllumbësha Spirogjoka, aty ku bën ligje që Linda e tij të jetë First Lady e Shqipërisë, zonja Begaj ia menderos ligjin”, u shpreh Berisha.

Më herët, kryedemokrati përshëndeti protestuesit që e prisnin jashtë selisë së PD, ndërsa u nis drejt Parlamentit.

“Ja përfaqësuesit e vërtetë të shqiptarëve. Këta janë,” tha ai.

Ndërkohë, para nisjes së seancës plenare, është zhvilluar edhe mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Deputetët demokratë pritet të marrin pjesë në seancë, ndërsa Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu do të qëndrojnë jashtë sallës, pasi janë përjashtuar me 10 ditë nga Sekretariati i Etikës.

***

Policia e Shtetit ka marrë masa të forta sigurie përpara zhvillimit të seancës plenare në Kuvend ku do të diskutohet çështja e imunitetit të Belinda Ballukut dhe protestës së paralajmëruar nga opozita. Forca të shumta policore janë vendosur në hyrje të godinës së Kuvendit, ndërsa efektivët janë pajisur me mburoja dhe mjete të tjera sigurie, përfshirë edhe fikse zjarri.

Sipas informacioneve paraprake, rreth 1500 punonjës policie janë vendosur në gatishmëri për të menaxhuar situatën gjatë protestës. Kjo ka bërë që godina e Kuvendit të blindohet nga jashtë, ndërsa kjo pjesë e qendrës së kryeqytetit praktikisht është bllokuar dhe nuk lejohet lëvizja.

Burime pranë Partisë Demokratike kanë njoftuar se protesta do të zhvillohet si brenda ashtu edhe jashtë ambienteve të Parlamentit. Opozita ka paralajmëruar kundërshtim të fortë ndaj qëndrimit të mazhorancës lidhur me çështjen e mos arrestimit të ish-zv.kryeministres Balluku, duke e kthyer këtë seancë në një moment të tensionuar politik.

Pasi mori përsipër sigurinë e protestës, policia ka rrethuar me gardh metalik godinën e Kuvendit prej mbrëmjes së të mërkurës. Pas kangjellave është vendosur një kordon sigurie i përbërë nga efektivë të policisë së rendit dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë. Brenda perimetrit të sigurisë janë pozicionuar gjithashtu edhe automjete me ujë me presion dhe mjete zjarrfikëse, në rast të përshkallëzimit të situatës.

Ndërkohë, autoritetet kanë njoftuar edhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në zonën përreth Kuvendit. Sipas Policisë së Shtetit, nga ora 06:00 e mëngjesit deri në përfundim të tubimit do të kufizohet lëvizja në rrugën “George Ë. Bush”. Në varësi të zhvillimit të protestës, mund të bllokohen edhe rrugë të tjera, ndërsa qytetarët janë këshilluar të përdorin rrugë alternative.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)