“Rama po përdor mandatet e krimit si parzmore”, Berisha: 12 marsi, dita e përmbysjes së regjimit

Sali Berisha ftoi qytetarët shqiptarë që të bashkohen më 12 mars përpara parlamentit për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.

09.03.2026. 19:25

“Rama po përdor mandatet e krimit si parzmore”, Berisha: 12 marsi, dita e përmbysjes së regjimit

Sali Berisha në foltoren para Kryeministrisë, ftoi qytetarët që të bashkohen në protestën e radhës kombëtare për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës.

“12 marsi është një ditë e madhe. Është dita e pranverës së demokracisë. Është dita e përmbysjes së narkoregjimit. Në orën 10:00 të gjithë para parlamentit t’i japim përgjigje Ramës dhe bandës së tij”.

Kreu i demokratëve e cilësoi vendimin e grupit të PS për të mos hequr imunitetin e Ballukut, si mburojë për të mbrojtur vjedhjet e Edi Ramës.

“Ky shesh do të shënojë fundit e këtij regjimi armiqësor. Zhvillimet e këtyre muajve nxorën në pah para shqiptarëve dhe botës, shëmtinë më të madhe të këtij regjimi, të cilin secili prej jush e kanë denoncuar me dhjetëra, qindar herë. Sot deputetët e partisë së krimit me në krye kreun e organizatës Rama, njoftuan atë që ata do të përdorin si mburojë Lubi Ballukun për vjedhjet që ka bërë Rama dhe anëtarët e tjerë”, tha ai.

Më tej, Sali Berisha kishte dhe një thirrje për intelektualët që të dalin nga guacka e konformizmit dhe të mos pajtohen më me këtë regjim që sipas tij po i vjedh qytetarët çdo ditë dhe po i mbyll vendit dyert e BE.

“Ky është një akt sfidues e fyes për qytetarët. Unë kam një thirrje për cdo intelektual të dalë nga guacka e konformizmit, të mos harrojë kurrë se ai investim që kanë bërë shqiptarët për shkollimin e tij, që kanë bërë prindërit, ka qenë që ai të jetë pavarësisht nga profesioni, një avokat i interesave të kombit, shoqërisë, publikut. U drejtohem mësuesve, juristëve, inxhinierëve, konformizmi me këtë regjim është mëkati më i madh i jetës. Nënshtrimi ndaj këtij regjimi është një gabim. Asnjë nuk duhet të bjerë me këto që ndodhin.

Kreu i regjimit po përdor mandatet e krimit si parzmore për të mbrojtur veten nga vjedhjet që iu ka bërë qytetarëve. Me këto akte, Rama po mbyll dyert e Evropës për shqiptarët, po shkatërron ëndërrën më të bukur që nga Rilindja, atë evropiane. Nuk ka më shtet, por ka një bandë. Nuk ka më ecje para, por kthim të së shkuarës si të ardhme. Kudo që të jeni, ju duhet t’i dilni zot vendit”, tha Berisha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)