Retorika politike ndaj SPAK nuk përbën aktualisht një kërcënim të drejtpërdrejtë, sipas përgjigjes që kreu i SPAK, Klodian Braho u dha anëtareve të KLP gjatë raportimit të tij në për veprimtarinë e institucionit që drejton, gjatë vitit 2025.
Por, Braho paralajmëroi se situata do të bëhej shqetësuese nëse kjo retorikë do të konkretizohej në nisma ligjore që cenojnë pavarësinë dhe kompetencat e institucionit.
Ai theksoi se SPAK do të reagojë publikisht në rast se përballet me drafte apo projektligje që synojnë kufizimin e rolit të tij.
“Retorika politike nuk përbën në vetvete një kërcënim. Për të kuptuar se kur do jetë shqetësuese është kur do shënohet me një situatë të ndryshimeve ligjore që mund të ndryshojnë kompetencat dhe pavarësinë e institucionit dhe për momentin nuk ka një të tillë. Por retorika mund të shërbejë për të rritur agresivitetin ndaj SPAK. Nëse do hasemi me drafte dhe projekte ligjore do e bëjmë publik zërin tonë dhe këtë mendim apo shqetësim do ja përcjellim Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, deklaroi Braho.
Ai shtoi gjithashtu se një ndër sfidat kryesore të punës së SPAK mbetet mungesa e këshilltarëve ligjorë për prokurorët, duke kërkuar ndryshime në kuadrin ligjor për të rritur efikasitetin dhe profesionalizmin.
“Sa i përket burimeve njerëzore, është problematikë e thënë disa herë në raporte. Prokurorët nuk kanë këshilltarë ligjorë, vetëm drejtuesit kanë. Prokurorët do të duhet të kenë këshilltarët e tyre ligjorë. Duhet të hapen hapësira ligjore dhe më pas të shkojmë te cilësia dhe profesionalizmi”, tha kreu i SPAK.
Braho nënvizoi se, edhe pse retorika politike jo gjithmonë përbën problem, ajo mund të krijojë klimë më të tensionuar dhe të ndikojë në rritjen e agresivitetit ndaj Strukturës së Posaçme, veçanërisht nga grupet e krimit të organizuar.
“Retorika, edhe në disa raste nuk është problematike, por mund të shërbejë si shkak për të rritur agresivitetin ndaj SPAK nga krimi i organizuar”, përfundoi Braho.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)