Kreu i SPAK, Klodian Braho ka kërkuar rishikim të legjislacionit për disa vepra penale që trajtohen nga kjo strukturë, duke theksuar se pragu aktual prej 50 mijë lekësh për veprat e korrupsionit po sjell një ngarkesë të lartë hetimore për institucionin.
Gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për punën e kryer nga Prokuroria e Posaçme në vitin 2025, Braho deklaroi se, ndonëse nuk sheh nevojë për ndryshime të mëdha ligjore në këtë fazë, rritja e kësaj fashe do të ndihmonte në përqendrimin e burimeve të SPAK tek çështjet me impakt më të madh.
“Ngarkesa është e lartë, do vijë të rritet më tej. Numri i prokurorëve, 20 është i mjaftueshëm duke pasur sistemin e Prokurorive në gjithë Shqipërinë. Duhet të gjejmë mënyrën më të duhur për të ngritur profesionalizmin me çështjet që kemi në hetim dhe duhet të rrisim nivelin profesional të hetuesve të BKH që të lehtësohet puna e prokurorëve. Këtë vit do nisim rekrutimin e 40 hetuesve të tjerë në BKH dhe do jetë numër i lartë që do ndikojë në punën e ngarkesës dhe rritjen e cilësisë së hetimeve. Ndryshimeve ligjore, nuk shoh diçka që është gabim në këtë moment që duhet të ndryshohet që të ulet ngarkesa e punës, përveç diskutimeve që kemi bërë më parë për korrupsionin aktiv dhe pasiv. Fasha prej 50 mijë lekësh duhet parë, por është proces që kërkon kohën e vet. Duhet të jetë më e lartë, kjo e rrit ngarkesën e çështjeve. E njëjta gjë edhe për veprat penale që lidhen me prokurimet, është fashë e vogël në vlerësimin tonë”, deklaroi Braho.
Një tjetër problematikë e ngritur nga kreu i SPAK lidhet me specialistët që trajtojnë letërporositë ndërkombëtare. Sipas tij, mungesa e statusit të Oficerit të Policisë Gjyqësore për këta specialistë krijon pengesa procedurale dhe shton barrën mbi hetuesit.
“Letër-porositë që vijnë apo dërgohen nga SPAK nuk kalojnë në Prokurorinë e Përgjithshme, por ekzekutohen nga SPAK vetë. Kjo është e mirë sepse i jep SPAK rol aktiv dhe shumë të drejtpërdrejtë në hetime. Kemi kërkuar të rishikohet statusi i specialistëve që janë pjesë e sektorit. Lind nevoja që shumë veprime të kryhen prej tyre, por për të kryer këto veprime duhet të kenë statusin e Oficerit të Policisë Gjyqësore, ndërsa aktualisht kanë status nëpunësi. Ky ngërç duhet të rregullohet me ligj që veprimet e tyre të mos jenë të diskutueshme proceduralisht. Nëse specialistët ndërlidhës do të kenë këtë status, kjo do të sjellë që hetuesi të mos jetë i ngarkuar me këtë procedurë”, tha Braho.
Braho bëri të ditur gjithashtu se gjatë vitit që lamë pas, SPAK regjistroi 45.4 milionë euro të sekuestruara dhe konfiskuara, përfshirë 12.4 milionë euro në portofole kriptovalutash. Sipas kreut të Prokurorisë së Posaçme ky është një tregues i zgjerimit të hetimeve financiare dhe luftës kundër pastrimit të parave.
Ai po ashtu theksoi se masa e arrestit me burg është përdorur vetëm si instrument i fundit, duke reflektuar një qasje më të kujdesshme ndaj masave të sigurimit personal.
Bilanci i vitit 2025 sipas të dhënave të paraqitura nga kreu i SPAK:
- 871 procedime penale janë hetuar gjatë vitit 2025
- 294 procedime të reja janë regjistruar gjatë vitit
- 577 çështje janë mbartur nga viti 2024
- Volumi i hetimeve është rritur me 4.9%
- Janë mbyllur hetimet për 216 çështje
- Arresti me burg ka rënë me 53.4% krahasuar me vitin paraardhës
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)