"Vrasje me dashje", politika reagon për tragjedinë me dy viktima në Durrës: Shoferi terrorist!

Politika shqiptare ka reaguar pas aksidentit tragjik me dy të mitur të vdekur në Durrës. Presidenti Begaj dhe kryeministri Rama shprehën ngushëllimet ndërsa Taulant Balla e cilëson drejtuesin e mjetit një terrorist në timon. Erion Braçe ndërkohë kërkon dënime më të rënda në të tilla raste.

03.05.2026. 19:33

"Vrasje me dashje", politika reagon për tragjedinë me dy viktima në Durrës: Shoferi terrorist!

Ngjarja tragjike në Durrës, ku një drejtues mjeti i dehur në timon, u mori jetën 2 fëmijëve dhe la të plagosur rëndë një tjetër të mitur, ka nxitur reagime të forta në publik, por edhe në radhët e politikës.

Presidenti Bajram Begaj përmes një postimi në rrjetet sociale kërkoi hetim të thelluar për ngjarjen dhe u bëri thirrje instititucioneve të marin masa për rritjen e sigurisë rrugore.

I tronditur thellë për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy vogëlushë dhe një tjetër u plagos shumë rëndë. Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre! Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël. Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital. Institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim, të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit. Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë”, shkruan Kreu i Shtetit.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ngjarjen ka reaguar përmes një postimi në platformën X nga Armenia, aty ku sapo ka arritur për një takim të liderëve të vendeve europiane.

Rama ka shpreh ngushëllimet për familjet e dy vogëlushëve që ndërruan jetë dhe lutjet për përmirësim të gjendjes së 8-vjeçarit që ndodhet në kujdesin e mjekëve tek Spitali i Traumës.

“Sapo kemi zbritur në Jerevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital”, shkruan Rama.

Më i ashpër ka qenë reagimi i kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili shprehet se drejtuesi i mjetit, i identifikuar si 57-vjeçari Nikoll Radaçi është një terrorist në timon.

“Ngjarja tragjike në Durrës nuk është aksident rrugor. Autori nuk është një shofer në një timon, por një terrorist!”, shkruan Balla.

Ndërkohë, për deputetin socialist Erion Braçe ajo që ndodhi në Durrës ishte një vrasje me dashje. Për këtë arsye ligjvënësi i mazhorancës kërkon dënime më të rënda për drejtuesit e automjeteve që shkaktojnë tragjedi të tilla, të cilat sipas Braçes do të jepen pasi Parlamenti të veprojë duke bërë ndryshime ligjore.

“Durrës, lagjet e ish kënetës. Kështu u vranë dy fëmijë dhe u plagos një i tretë. Sot, ditën e diel! U vra sepse vrasja është! Madje vrasje me dashje! Nuk është aksident, por vrasje me dashje! Po e postoj videon ashtu siç është, me zhurmën e makinës, zhurmën e përplasjes, zhurmën e marrjes zvarrë të fëmijëve, klithmat e prindërve e njerëzve të tjerë në rrugë. Këto pamje! E di, e rëndë është; Por dua ta dëgjoj kështu, ta dëgjojnë kështu edhe kolegët e mi deputetë të çdo ane, për t’u bindur për të ndryshuar atë kod rrugor dhe atë kod penal për ta cilësuar një akt të tillë siç është: vrasjeeeeeeeee! Dhe duhet ta bëjmë tani, ta bëjmë menjëherë! Siç bëmë atë ndryshimin për parkimin dyshe dhe që, edhe pse është në fuqi, nuk e zbaton kush! Ta bëjmë me atë shpejtësi e vendosmëri, por për ta zbatuar si qytetarë, policë, prokurorë e gjyqtarë. Mbase vetëm duke ndëshkuar kështu — si për vrasje me dashje në rrugë — mund t’i ndalim vrasësit të dalin në rrugë! Ne nuk jemi thjesht për të ngushëlluar; jemi votuar për të vepruar! Duhet ta tregojmë tani”, këmbëngul Braçe.

Sakaq, rezulton se Nikoll Radaçi, i cili është edhe banor i zonës së ish-Kënetës, ka qenë i dehur në momentin e aksidentit. Pas testit të parë të alkoolit që policia ka kryer menjeherë pas ndalimit të tij, 57-vjeçari ka rezultuar me nivel të lartë të alkoolit në gjak, tej normave të lejuara.

Po ashtu dëshmitarët okularë kanë konfirmuar se Radaçi drejtonte mjetin me shpejtësi skëterrë, ashtu siç rezulton edhe në pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve në zonë.

Në momentin e ngjarjes, katër fëmijë po luanin në trotuar pranë banesave të tyre, kur mjeti ka dalë nga kontrolli dhe është përplasur me ta. Për pasojë, dy prej të miturve humbën jetën në vend, ndërsa një 8 vjeçar mbeti i plagosur rëndë dhe një fëmijë i katërt arriti të shpëtojë mrekullisht, pasi në momentin e përplasjes u fsheh pas një biçiklete.

Pas goditjes së fëmijëve, automjeti është përplasur edhe me një mjet tjetër.  Pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat kanë qarkulluar, tregojnë momentin tronditës të përplasjes. Në video shihet se si makina lëviz me shpejtësi shumë të lartë dhe godet fëmijët, ndërsa drejtuesi del menjëherë nga automjeti duke bërtitur “o Zot, çfarë bëra” dhe më pas ai largohet nga rrezja e filmimit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)