48 liderë europianë mblidhen në Armeni, Rama merr pjesë në samitin e Jerevanit

Sipas njoftimit zyrtar të Kryeministrisë, pjesëmarrja në këtë samit synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve europiane në një moment sfidash të mëdha gjeopolitike.

03.05.2026. 15:48

48 liderë europianë mblidhen në Armeni, Rama merr pjesë në samitin e Jerevanit

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Armeni për të marrë pjesë në Samitin e 8-të të Komunitetit Politik Europian, i cili do të zhvillohet më 4 maj në kryeqytetin Jerevan, me pjesëmarrjen e 48 liderëve nga i gjithë kontinenti.

Sipas njoftimit zyrtar të Kryeministrisë, pjesëmarrja në këtë samit synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve europiane në një moment sfidash të mëdha gjeopolitike.

“Në një kohë transformimesh të thella gjeopolitike, diskutimet do të fokusohen në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve europiane, koordinimin e veprimeve për rritjen e qëndrueshmërisë demokratike, si dhe avancimin e lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike e energjetike”, thuhet në komunikatë.

Samiti i këtij viti zhvillohet nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Europë” dhe bashkëkryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian António Costa dhe Kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan.

Në kuadër të këtij takimi, Rama do të marrë pjesë edhe në forumin kundër trafikut të drogës, të bashkëdrejtuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

“Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në takimin e dytë informal të Koalicionit Europian Kundër Drogave (ECAD)... Diskutimet do të përqendrohen në forcimin e luftës kundër trafikut të drogës, përfshirë trafikun detar dhe në porte, luftën kundër flukseve të paligjshme financiare, pastrimit të parave dhe korrupsionit, si dhe adresimin e sfidave që lidhen me drogat sintetike në Europë”, thekson Kryeministria.

Një tjetër fokus i rëndësishëm i pjesëmarrjes së Ramës do të jetë siguria ekonomike dhe tranzicioni i gjelbër. Ai do të bashkëdrejtojë një tryezë të rrumbullakët me Kryeministrin e Finlandës Petteri Orpo.

“Në këtë sesion do të diskutohen masa konkrete për rritjen e lidhshmërisë në sektorët e energjisë dhe atij digjital, si dhe për sigurimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, duke reduktuar varësitë në kuadër të tranzicionit energjetik”, thuhet në njoftim.

Kryeministri shqiptar do të marrë pjesë gjithashtu në darkën zyrtare të mirëseardhjes të organizuar nga Presidenti i Armenisë Vahagn Khachaturyan dhe Kryeministri Pashinyan.

Në përmbyllje, Kryeministria thekson rëndësinë e kësaj pjesëmarrjeje për rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare:

“Pjesëmarrja në këtë samit konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qenë një aktor aktiv në diskutimet strategjike evropiane dhe për të kontribuar në ndërtimin e një Europe më të qëndrueshme, të sigurt dhe të bashkuar.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)