Humbja me Tiranën "i ha kokën" trajnerit të Teutës

Vendimi i teknikut 50-vjeçar erdhi menjëherë pas humbjes 0-1 në shtëpi ndaj Tiranës, një disfatë që duket se ka rënduar situatën në kampin durrsak, me ekipin që aktualisht lufton për mbijetesë në kampionat.

03.05.2026. 16:28

Humbja me Tiranën "i ha kokën" trajnerit të Teutës

Teuta ka mbetur pa trajner, pasi Enkelejd Dobi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës, pas një periudhe të vështirë rezultatesh në Superligë.

Vendimi i teknikut 50-vjeçar erdhi menjëherë pas humbjes 0-1 në shtëpi ndaj Tiranës, një disfatë që duket se ka rënduar situatën në kampin durrsak, me ekipin që aktualisht lufton për mbijetesë në kampionat.

Në një reagim zyrtar, klubi konfirmoi largimin e trajnerit. “Klubi i Futbollit Teuta njofton se trajneri Enkelejd Dobi ka paraqitur kërkesën për dorëheqje dhe, duke filluar nga dita e sotme, nuk do të ushtrojë më detyrën e tij në drejtimin e ekipit të parë”, thuhet në njoftim.

Teuta shprehu gjithashtu mirënjohjen për punën e Dobit gjatë kohës në krye të skuadrës.

“Klubi shpreh mirënjohjen e tij për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë nga trajneri Dobi gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës, duke i uruar njëkohësisht suksese të mëtejshme në karrierën e tij profesionale.”

Dobi, i cili mori drejtimin e ekipit në korrik të vitit të kaluar, e drejtoi Teutën në 37 ndeshje, duke regjistruar 9 fitore, 15 barazime dhe 13 humbje. Në deklaratën e tij të lamtumirës, trajneri falënderoi drejtuesit, stafin dhe tifozët për mbështetjen.

“Ka qenë një kënaqësi dhe nder të punojë me ekipin”, tha ai, ndërsa vlerësoi angazhimin dhe profesionalizmin e futbollistëve gjatë gjithë bashkëpunimit.

Për dy ndeshjet e mbetura të sezonit, drejtimi i skuadrës do t’i besohet zëvendëstrajnerit Bledar Hodo, në bashkëpunim me pjesën tjetër të stafit teknik.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)