Kaos në PD e Korçës, grisen fletët e votimit, shtyhen zgjedhjet për kryetarin

Pavarësisht përpjekjeve për ndërmjetësim nga drejtuesit politikë, votimi nuk mundi të rifillonte. Në përfundim, përfaqësuesit e ardhur nga Tirana për monitorim të procesit morën materialet zgjedhore dhe u larguan, ndërsa pritet një vendim nga kryesia për datën e re të zgjedhjeve.

03.05.2026. 17:25

Kaos në PD e Korçës, grisen fletët e votimit, shtyhen zgjedhjet për kryetarin

Procesi zgjedhor për drejtimin e degës së Partisë Demokratike në Korçë është shtyrë për një datë tjetër, pas tensioneve dhe ndërprerjes së votimit gjatë kësaj të diele, të paktën dy here.

Situata u përshkallëzua pasi disa simpatizantë kundërshtuan listat e votimit, duke pretenduar se emrat e tyre mungonin. Debatet degraduan deri në grisjen e fletëve të votimit brenda selisë, çka e bëri të pamundur vijimin normal të garës mes kandidatëve Irvin Bode dhe Harito Zoto.

Procesi u ndërpre dy herë gjatë ditës. Fillimisht në orët e mëngjesit, kur komisionerët u larguan nga ambientet duke marrë me vete kutitë e votimit. Pas rreth dy orësh, pati një përpjekje për rifillim, por tensionet u rikthyen sërish për shkak të mosmarrëveshjeve mbi listat e anëtarësisë.

Pavarësisht përpjekjeve për ndërmjetësim nga drejtuesit politikë, votimi nuk mundi të rifillonte. Në përfundim, përfaqësuesit e ardhur nga Tirana për monitorim të procesit morën materialet zgjedhore dhe u larguan, ndërsa pritet një vendim nga kryesia për datën e re të zgjedhjeve.

Drejtuesi politik i qarkut, Ivi Kaso, reagoi për situatën duke theksuar se nuk bëhej fjalë për përplasje, por për një bllokim të përkohshëm të procesit. “Janë konstatuar tentativa për të votuar nga persona që nuk figurojnë në listat e anëtarësisë së PD-së”, u shpreh Kaso.

Ai sqaroi se votimi mund të kryhet vetëm në dy kushte të përcaktuara qartë.

“Dy janë kushtet për të votuar: ose emri duhet të jetë në listë, ose zgjedhësi duhet të paraqesë një dokument identifikimi që provon anëtarësinë në PD. Në mungesë të këtyre, nuk mund të merret konsensusi i komisionit për votim.”

Sipas tij, listat janë të konfirmuara dhe janë përdorur edhe në procese të mëparshme zgjedhore në Korçë. Kaso theksoi se procesi nuk është cenuar në thelb dhe garantoi se, kur të rifillojë, do të ruhet integriteti i votës dhe i procedurës.

“Komisioni vepron mbi bazën e udhëzimeve që vlejnë për të gjithë Shqipërinë. Ashtu siç është votuar në të gjitha degët, do të votohet edhe në Korçë. Nuk ka proces zgjedhor perfekt, por rëndësi ka që të ruhet besimi dhe integriteti i procesit”, deklaroi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)