Po eksploronte Kepin e Rodonit me motor, aksidentohet për vdekje 52-vjeçari

Shtetasi Arben Karamuço po eksploronte zonën me një mjet tip ATV (motor me katër rrota), kur ka humbur kontrollin për shkak të terrenit të vështirë dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë e plagëve të marra, ai ka ndërruar jetë në vend.

03.05.2026. 18:22

Po eksploronte Kepin e Rodonit me motor, aksidentohet për vdekje 52-vjeçari

Një aksident tragjik është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Kepi i Rodonit, ku një 52-vjeçar ka humbur jetën.

Sipas informacioneve paraprake, shtetasi Arben Karamuço po eksploronte zonën me një mjet tip ATV (motor me katër rrota), kur ka humbur kontrollin për shkak të terrenit të vështirë dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë e plagëve të marra, ai ka ndërruar jetë në vend.

Në mjet ndodhej edhe bashkëshortja e tij, e cila fatmirësisht ka arritur të shpëtojë pa pasoja fatale.

"Rreth orës 16:45, në vendin e quajtur “Kepi i Rodonit”, në një terren me shkurre, shtetasi A. K., rreth 52 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar një motomjet (me 4 goma), dyshohet se ka humbur kontrollin, si pasojë e terrenit, dhe është rrëzuar. Si pasojë, 52-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje. Në motomjet ndodhej edhe bashkëshortja e tij, shtetasja E. K., 44 vjeçe, e cila është lënduar lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ky aksident i rëndë vjen në të njëjtën ditë me një tjetër ngjarje tragjike në Durrës, ku një automjet përplasi disa fëmijë që po luanin në trotuar. Nga incidenti humbën jetën dy prej tyre, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë dhe po trajtohet në Spitalin e Traumës.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të të dyja ngjarjeve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)