“O Zot çfarë bëra”, aksidenti me dy fëmijë të vdekur në Durrës, shoferi lëvizte me shpejtësi skëterrë

Në momentin e ngjarjes, katër fëmijë po luanin në trotuar pranë banesave të tyre, kur mjeti ka dalë nga kontrolli dhe është përplasur me ta. Për pasojë, dy prej të miturve humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

03.05.2026. 17:03

“O Zot çfarë bëra”, aksidenti me dy fëmijë të vdekur në Durrës, shoferi lëvizte me shpejtësi skëterrë

Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Durrësit mesditën e sotme, ku një aksident tragjik i ka marrë jetën dy fëmijëve rreth 10 vjeç, ndërsa një i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës, në kryeqytet.

Autor i dyshuar i aksidentit është 57-vjeçari Nikoll Radaçi, banor i zonës, i cili sipas informacioneve paraprake ka qenë duke drejtuar automjetin me shpejtësi të lartë në zonën e ish-Kënetës.

Në momentin e ngjarjes, katër fëmijë po luanin në trotuar pranë banesave të tyre, kur mjeti ka dalë nga kontrolli dhe është përplasur me ta. Për pasojë, dy prej të miturve humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë. Një fëmijë i katërt arriti të shpëtojë mrekullisht, pasi në momentin e përplasjes u fsheh pas një biçiklete.

Pas goditjes së fëmijëve, automjeti është përplasur edhe me një mjet tjetër. Në vendngjarje kanë mbetur makina që shkaktoi aksidentin dhe topi me të cilin fëmijët po luanin.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat kanë qarkulluar, tregojnë momentin tronditës të përplasjes. Në video shihet se si makina lëviz me shpejtësi shumë të madhe dhe godet fëmijët, ndërsa drejtuesi del menjëherë nga automjeti duke bërtitur: “O Zot, çfarë bëra”. Më pas ai largohet nga rrezja e filmimit.

Një dëshmitar okular, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes, përshkroi momentet e aksidentit si të frikshme.

“E frikshme. Sa kalova me familjet atje unë. Unë rri matanë me qira, do vija te njerëzit e nuses. Sa kalova para makinës, vetëm kur ja bëri bam ktej. Dolën njerëzit po ulërinin. S’ka më keq, ke frikë të dalësh nga shtëpia”, tregoi ai për mediat.

Burime paraprake bëjnë me dije se shoferi mund të ketë qenë në gjendje të dehur, çka dyshohet se ka ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit.

Ndërkohë banorë të tjerë të zonës shprehen të tronditur dhe theksojnë se raste të tilla janë bërë të shpeshta për shkak të shpejtësisë së lartë në rrugët e lagjes. “Ishin fëmijët e lagjes sonë. Shoferi iku me vrap. Unë s’kam parë në jetën time kështu. Tre fëmijë”, u shpreh një banor.

Një tjetër shtoi: “Nuk ka më keq se kaq. Tragjedi e madhe. Shteti duhet të marrë masa menjëherë. Ne të gjithë natën rrimë pa gjumë. Këtë gjë e ka bërë gjithmonë ky shoferi”.

Ngjarja ka ngritur shqetësime të forta mbi sigurinë rrugore në zonë, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të parandaluar tragjedi të tjera.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)