Rikthehet "makthi" i dhjetorit, Vlora mbetet sërish pa ujë të pijshëm

Sipas Ujësjellësit një avari e rëndë në rrjetin kryesor të furnizimit ka sjellë ndërprerjen totale të ujit në të gjithë qytetin bregdetar. Problemi raportohet se është regjistruar pranë zonës “Miramare”, ku një defekt në tubacionin kryesor ka detyruar autoritetet të stakojnë të gjitha stacionet.

11.05.2026. 22:48

Rikthehet "makthi" i dhjetorit, Vlora mbetet sërish pa ujë të pijshëm

Kur kanë kaluar më shumë se katër muaj nga zgjidhja e avarisë që e la qytetin pa ujë për mëse një javë dhe nxiti protesta, Vlora përballet sërish me mungesë të ujit të pijshëm, në nisje të sezonit veror.

Sipas Ujësjellësit një avari e rëndë në rrjetin kryesor të furnizimit ka sjellë ndërprerjen totale të ujit në të gjithë qytetin bregdetar. Problemi raportohet se është regjistruar pranë zonës “Miramare”, ku një defekt në tubacionin kryesor ka detyruar autoritetet të stakojnë të gjitha stacionet e ujësjellësit deri në riparimin e plotë të avarisë.

Situata ka lënë pa furnizim me ujë mijëra banorë dhe biznese, ndërsa ekipet teknike të Ujësjellës-Kanalizime ndodhen në terren për të ndërhyrë.

Në njoftimin zyrtar, Ujësjellësi i Vlorës bën me dije se punimet do të vijojnë gjatë gjithë natës për të rikthyer sa më shpejt normalitetin.

“Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton qytetarët se, për shkak të një avarie të rëndë në tubacionin 500, të furnizimit me ujë, pranë zonës “Miramare”, janë stakuar të gjitha stacionet e ujësjellësit. Grupet e Degës Teknike janë angazhuar në terren dhe do të punojnë gjatë gjithë natës për riparimin e avarisë në kohën më të shpejtë të mundshme, me qëllim shmangien e problematikave të mëtejshme në furnizimin me ujë. Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve deri në normalizimin e situatës”, thuhet në njoftim.

Kjo është një tjetër ndërprerje që prek qytetin bregdetar, ku furnizimi me ujë të pijshëm është kthyer në një problem të përsëritur gjatë muajve të fundit. Sidomos gjatë muajit dhjetor, Vlora u përball me mungesa të gjata të ujit, duke krijuar vështirësi për familjet dhe aktivitetet private në qytet.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)