Këshilli i Ministrave ka miratuar një bonus të veçantë për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre, në kuadër të rishikimit të buxhetit të shtetit për herë të katërt gjatë këtij viti.
Sipas Malajt, bonusi për fundvitin arrin vlerën e 15 mijë lekëve dhe do të përfitohet nga rreth 148.500 persona, një kategori që nuk ishte përfshirë në aktin normativ të muajit tetor, kur u dhanë shpërblime për pensionistët.
“Mbështetje financiare për familjet me ndihmë ekonomike me 15 mijë lekë, janë 148 mijë përfitues, me fond 2.2 miliardë lekë, si për shpërblimin e familjeve në nevojë ashtu edhe për personat me aftësi ndryshe”, u shpreh ministri i Financave.
Po ashtu, Malaj bëri të ditur se fondet e papërdorura nga ministritë dhe institucionet shtetërore gjatë këtij viti do të kalojnë në fondin e pensioneve, si mbështetje për reformën e re të kësaj skeme.
“Janë rreth 150 milionë euro që do të kalojnë në llogarinë që kemi në Bankën e Shqipërisë për skemën e pensioneve, për të mbështetur reformën e re”, deklaroi Malaj.
Sipas qeverisë, këto masa synojnë të forcojnë mbështetjen sociale për kategoritë në nevojë dhe të garantojnë qëndrueshmëri afatgjatë për sistemin e pensioneve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)