Automjetet e përdorura të importuara në Shqipëri nga vende të ndryshme si Koreja e Jugut, Kina apo vendet e Bashkimit Europian do të zhdoganohen tashmë me çmime të reja reference, dukshëm më të larta. Ndryshimet parashikohen në udhëzimin e Ministrisë së Financave “Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore”, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi.
Sipas udhëzimit nr. 26, datë 17.12.2025, bëhen shtesa dhe ndryshime në udhëzimin ekzistues nr. 3, datë 23.1.2018, duke prekur drejtpërdrejt mënyrën e vlerësimit të automjeteve në doganë. Qëllimi zyrtar i këtyre ndryshimeve është lehtësimi i procedurave dhe zbatimi praktik i metodologjisë së vlerësimit, por në praktikë ato sjellin rritje të ndjeshme të çmimeve minimale për zhdoganimin e mjeteve.
Rritja prek të gjitha kategoritë e autoveturave, sipas cilindratës. Për mjetet deri në 1400 cc, çmimi minimal i referencës nuk mund të jetë më i ulët se 162 500 lekë. Për automjetet nga 1400 deri në 1900 cc, kufiri minimal rritet në 250 000 lekë, ndërsa për ato nga 1900 deri në 2500 cc shkon në 406 000 lekë. Për cilindrata më të mëdha, mbi 4500 cc, çmimi minimal arrin deri në 1 milion lekë.
Ndryshime të rëndësishme janë parashikuar edhe për kamionçinat, furgonët dhe kamionët, ku vlera e zhdoganimit lidhet me kapacitetin mbajtës dhe nuk mund të jetë më e ulët se 500 000 lekë për mjetet deri në 1.5 tonë, ndërsa për mjetet mbi 15 tonë, minimumi arrin në 1.5 milion lekë.
Udhëzimi përcakton gjithashtu burime të reja reference për vlerësimin e automjeteve, duke u bazuar në buletine dhe faqe të njohura ndërkombëtare të tregut automobilistik europian. Këto ndryshime pritet të ndikojnë drejtpërdrejt te kostoja finale për qytetarët që importojnë automjete të përdorura.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)