Operacion për kapjen e një të dyshuari, plagosen dy policë të 'Shqiponjave' në Dibër

Sipas burimeve paraprake, gjatë përpjekjes për neutralizimin e një të dyshuari, personi në kërkim ka shtyrë efektivët Gentian Meda dhe Bilal Gjapi, duke i rrëzuar nga lartësia.

04.03.2026. 09:14

Operacion për kapjen e një të dyshuari, plagosen dy policë të 'Shqiponjave' në Dibër

Dy efektivë të forcave speciale “Shqiponja” kanë mbetur të lënduar gjatë një operacioni për arrestimin e 35-vjeçarit, Klodian Llomi (alias Mazari), i cili rezulton se ka për të shlyer edhe 6 vite e 7 muaj burg në Itali.

Ngjarja ka ndodhur në momentin kur forcat e policisë kanë ndërhyrë në një banesë trekatëshe për kapjen e të dyshuarit, të shpallur në kërkim.

Sipas burimeve, gjatë përpjekjes për neutralizimin e tij, personi në kërkim ka shtyrë efektivët Gentian Meda dhe Bilal Gjapi, duke i rrëzuar nga lartësia.

Fillimisht pati dyshime se efektivi Meda mund të ishte plagosur me armë zjarri, pasi në zonë janë dëgjuar edhe krisma. Megjithatë, policia sqaron se ai ka pësuar dëmtime si pasojë e rrëzimit.

Efektivi Meda fillimisht ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Peshkopisë dhe më pas është transportuar me helikopter drejt Tiranë për trajtim më të specializuar, pasi ka marrë dëmtime në kokë.

"Gjatë zhvillimit të këtij operacioni, një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor G.M., gjatë kapjes së personit në kërkim është rrëzuar nga një mur rrethues, duke pësuar dëmtime trupore. Punonjësi i policisë është transportuar me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar", informon policia.

Pas ngjarjes, i shumëkërkuari është hedhur nga kati i dytë i banesës, por është vënë në pranga nga forcat e policisë. Ndërkohë, efektivi Bilal Gjapi raportohet se ka pësuar thyerje në këmbë.

"Strukturat hetimore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” në orët e para të mëngjesit të sotëm, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Vendimi”. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, në Maqellarë u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit Klodian Llomi (Mazari).,  35 vjeç, banues në fshatin Kërçisht, Maqellarë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit, ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të  Romës në Itali, ku  ka  për të vuajtur dënimin e mbetur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe ‘Trafikim i lëndëve narkotike’", sqaron policia.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)