Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy zyrtarë të bashkisë Fier dhe një drejtor të Tatimeve për rajonin jugor të vendit, lidhur me mosarkëtimin e rreth 442 mijë eurove nga taksat e parkimit në këtë qytet.
Organi i akuzës ka zbuluar nga hetimi se drejtoresha e përgjithshme e taksave dhe urbanistikës, Adela Hysenaj, e cila ka mbajtur postin e nënkryetares së bashkisë, nuk ka marrë masat për vendosjen e kasës fiskale në pikat e parkimit në administrim të Bashkisë, duke shmangur taksat në vlera të larta.
Prokuroria konstaton se Hysenaj po ashtu “ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj drejtorive në varësi, duke mundësuar faturime fiktive dhe taksim të subjekteve me vlera më të ulëta se ato reale. Ajo dyshohet se ka ndërhyrë edhe pranë Drejtoreshës së Taksave për përllogaritje të parregullta të detyrimeve tatimore për subjektin “R…” shpk, si dhe për lëshimin e një vërtetimi se subjekti nuk kishte detyrime, ndonëse rezultonte me taksa të papaguara”.
Drejtoresha e Taksave në bashki, Anisa Cjapi, ka favorizuar disa subjekte përmes faturave fiktive të taksave jo me vlerat reale.
“Në cilësinë e Drejtoreshës së Taksave dhe Tarifave Vendore ka konceptuar fatura me vlera më të larta për disa subjekte dhe, pas ankesave të tyre, ka ndryshuar vlerat duke i ulur, në disa raste edhe nën kufijtë e miratuar nga Këshilli Bashkiak. Ajo dyshohet gjithashtu për faturime fiktive dhe për mosmarrjen e masave për fiskalizimin e pikave të parkimit në administrim të Bashkisë Fier.”
Ndërkohë, Vasil Çeku, drejtor i DVKT Rajoni Jugor ka urdhëruar inspektorët të kryejnë kontroll vetëm në një subjekt tregtar, pa pasur më parë një urdhër pune nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Treshja në fjalë akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)