Drejtori i Financave në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Gëzim Sala, është pezulluar nga detyra, me vendim të Gjykatës së Tiranës. Vendimi erdhi pas kërkesës së prokurorisë, e cila nga hetimet për atentatin ndaj Gilmando Danit në hyrje të aeroportit “Nënë Tereza” zbuloi se i ndjeri Muçi Shaljani, i cili drejtonte mjetin tip “Mercedes Benz” kishte qenë i punësuar në shkelje të ligjeve si agjent i AMP-së.
“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u vendos caktimi i masës së sigurisë ‘Ndalim i daljes jashtë shtetit’ dhe ‘Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për shtetasin G.S., Drejtor në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Tiranë, nën hetim për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Hetimet nisën pas kallëzimit të kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, mbi punësimin në kundërshtim me ligjin pranë kësaj agjencie të shtetasit M.Sh., i cili humbi jetën në rrethrrotullimin e Rinasit, i qëlluar me armë zjarri së bashku me shtetasin G.D.”, thuhet në njoftim.
Gëzim Sala është person nën hetim pasi prokuroria e akuzon për ‘Shpërdorim detyre’ në rastin e punësimit të Shaljanit pranë departamentit që ai drejton në AMP. Procesi i rekrutimit të të ndjerit në radhët e AMP-së u realizua në harkun kohor të gjashtë ditëve.
“Nga hetimet rezultoi se shtetasi M.Sh., ishte punësuar prej afro 2 muajsh, si punonjës i AMP-së në funksion ndihmëspecialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale. Prokuroria provoi se dokumenti i gjendur këtij shtetasi ishte i falsifikuar pasi nuk rezultonte që AMP ta ketë pajisur me dokument. Ky shtetas kërkoi të punësohej në AMP më 09.09.2025 dhe pranimi i tij më 15.09.2025, nëpërmjet një urdhri, rezulton haptazi në kundërshtim me ligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.532, datë 29.07.2022 “Per Miratimin e Rregullores Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”.
Në këto akte ligjore dhe nënligjore përcaktohet qartë se rekrutimi i punonjësve të AMP-së bëhet nëpërmjet konkurrimit, shpalljes së vendeve vakante, krijimit të komisioneve përkatëse, testimit, verifikimit përfundimtar për kualifikimin/skualifikimin e aplikantëve deri në përpilimin e kontratës, urdhrin e emërimit në detyrë dhe periudhën e provës.
Drejtori i Drejtorisë Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, shtetasi G.S., shprehet se procedura e ndjekur për rekrutimin e shtetasit M.Sh., nuk është ligjore dhe se ai në këtë proces ka nënshkruar miratimin vetëm për anën formale të akteve dhe jo në përmbajtje. Ndërkohë që ky shtetas ka kërkuar që ky urdhër të bëhej shpejt me motivacionin ‘pranohet me kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente’”, sqaron më tej Prokuroria e Tiranës.
Më tej, organi i akuzës sqaron se Shaljani nuk është paraqitur asnjëherë në punë për dy muajt që ka qenë pjesë e AMP-së dhe ndërkohë është paguar deri në ditën kur ndodhi atentati në Rinas.
“Ky shtetas me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka konsumuar elemente të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Ai ka anashkaluar ligjin organik Nr.128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe Rregulloren “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore” e miratuar me VKM Nr.532, datë 29.07.2022, ku janë përcaktuar qartë fazat e vlerësimit të kandidaturës M. Sh., nga testimet, verifikimet përfundimtare, vlerësimi i dokumentacionit të dorëzuar nga aplikanti (asnjë prej këtyre fazave nuk është aplikuar) deri në nënshkrimin e Urdhërit të punësimit, i cili në përmbajtje të tij ka motivimin “për nevoja emergjente”.
Shtetasi M.Sh. u punësua me një procedurë të paligjshme, në një kohë shumë të shkurtër (nga data 09.09.2025 kur është paraqitur zyrtarisht kërkesa deri më datë 16.09.2025, që i janë lidhur marrëdhëniet financiare, në total 4 ditë pune, që tregon se nuk është aplikuar asnjë prej detyrimeve ligjore të shprehura në ligjin dhe rregulloren e AMP-së. U pagua me rrogë të rregullt nga data 16.09.2025 deri ne date 11.11.2025 (data e ngjarjes në rrethrrotullimin e Rinasit), pa u paraqitur asnjëherë në punë, apo zhvilluar ndonjë detyrë”, nënvizohet më tej.
Kujtojmë se nga sulmi i armatosur që ndodhi më 11 nëntor mbeti i vdekur në vend personazhi i njohur i botës së krimit, Gilmando Dani dhe ndërroi jetë pas disa ditësh në Spitalin e Traumës, Muçi Shaljani.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)