Zbulohet laboratori i falsifikimit të diplomave dhe licencave, arrestohet 51-vjeçari

Pas kontrolleve në banesën në Zall-Bastar u gjet një hapësirë të përshtatur posaçërisht për prodhimin e dokumenteve të dyshuara si të falsifikuara.

10.04.2026. 15:52

Zbulohet laboratori i falsifikimit të diplomave dhe licencave, arrestohet 51-vjeçari

Një operacion i Policisë së Shtetit në Tiranë ka çuar në zbulimin e një ambienti të dyshuar si laborator për falsifikimin e dokumenteve arsimore dhe profesionale, duke përfshirë diploma, mastera dhe licenca të ndryshme. Në prangat e policisë ka rënë shtetasi 51-vjeçar Abas Tafa, banues në zonën e Zall-Bastarit.

Sipas të dhënave zyrtare, kontrollet janë ushtruar në banesën e tij, ku shërbimet e policisë kanë gjetur një hapësirë të përshtatur posaçërisht për prodhimin e dokumenteve të dyshuara si të falsifikuara. Në këtë ambient dyshohet se përgatiteshin diploma të shkollave të mesme, universiteteve, programe masteri si dhe licenca profesionale.

“Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua shtetasi Abas Tafa, 51 vjeç”, thuhet në njoftimin zyrtar, ku theksohet se gjatë kontrollit është zbuluar një laborator i mirëorganizuar për falsifikimin e dokumenteve. Policia bëri me dije se gjatë operacionit janë sekuestruar qindra dokumente të dyshuara të falsifikuara, si dhe pajisje dhe materiale të tjera që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.

Operacioni është zhvilluar nga Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Autoritetet po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)