Policia zbulon shkakun e zjarrit, pakujdesia e të miturve shkrumboi pallatin në Tiranë

Pallati 12 katësh në zonën e njohur si "Farmacia 10" dyshohet se është përfshirë nga flakët për shkak të pakujdesisë së disa të miturve, të cilët pas administrimit të pamjeve të kamerave të sigurisë rezulton se kanë qëndruar pranë marketit në katin zero, ku nisi fillimisht zjarri.

16.04.2026. 10:34

Policia zbulon shkakun e zjarrit, pakujdesia e të miturve shkrumboi pallatin në Tiranë

Hapja dhe ekzaminimi i pamjeve nga kamerat e sigurisë në rrugën e Dibrës, në zonën e njohur si ‘Farmacia 10”, i ka dhënë policisë një pistë të re hetimi për arsyen që çoi në zjarrin që shkrumboi 30 apartamente në kompleksin e banimit të kompanisë “Arlis”.

Pallati 12 katësh dyshohet se është përfshirë nga flakët për shkak të pakujdesisë së disa të miturve, të cilët pas administrimit të pamjeve të kamerave të sigurisë rezulton se kanë qëndruar pranë marketit në katin zero, ku nisi fillimisht zjarri.

Pamjet tregojnë 5 të mitu, të cilët për disa minuta qëndrojnë në pjesën e pasme të marketit dhe më pas largohen duke mbajtur në duar atë që policia dyshon të jetë një copë letër.

Këtë objekt, të miturit e lëshojnë mbi disa kuti kartoni që punonjësit e marketit kishin vendosur në ambientet e jashtme dhe më pas largohen nga vendngjarja. Nuk vonon shumë dhe aty shfaqen shtëllunga tymi dhe në harkun kohor të pak minuta e gjithë fasada e pallatit përfshihet nga flakët, duke rrezikuar jetën e dhjetëra banorëve në pallat.

Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa ditën e djeshme Blutë e kryeqytetit arrestuan katër persona dhe nisën hetim për pronarin e kompleksit Armand Lilo, kontraktorin e ndërtimit si dhe për dy punonjëse të marketit, pasi akuzohen për “Shkatërrim të pronës nga pakujdesia”.

Policia po ashtu konfirmoi para 24 orësh se zjarri fillimisht ra në ambientin e pasmë të marketit, që menaxhonte shtetasja Razie Sula. Sipas policisë flakët janë hasur fillimisht në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, teksa menaxherja e subjektit tregtar nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për përcaktimin e shkaqeve të rënies dhe të përhapjes së zjarrit, dje, në një kompleks banimi te Rruga e Dibrës, arrestuan shtetasit:     

Agron Cara,  54 vjeç, administratori i kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;

Razie Sula, 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë, për “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;

Enver Admi, 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve, për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;

Altin Furtuna, 46 vjeç, administrator i subjektit që ka kryer punimet e fasadës, për të njëjtën vepër penale.

Gjithashtu, nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i  kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit", bën me dije policia.

Po ashtu sqarohej në komunikatën për media se të dëmtuar nga flakët dhe tymi mbetën 11 persona, mes të cilëve edhe punonjës të forcave zjarrfikëse.

"Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre. Gjithashtu, shtetasi A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin. Nga flakët u dëmtuan 11 shtetas (punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit), të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi i posaçëm hetimor po vijon punën në vendngjarje, për të përcaktuar dëmin material total të shkaktuar nga zjarri", sqarohej në komunikatën e policisë.

Sa i përket procesit të rikonstruksionit të pallatit, kryeministri Edi Rama u dha shpresë banorëve të dëmtuar nga zjarri duke thënë se kompania do do të kryejë rindërtimin 100% të godinës.

“Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Sepse ne nuk mund t’i lemë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë një dëm të cilin duhet ta paguanin sigurimet  rast kuptimplotë për të kuptuar të gjithë se sigurimi i shtëpisë nga fatkeqësitë është i domosdoshëm", deklaroi Rama.

Edhe kompania "Arlis Ndërtim" përmes një komunikate për mediat bëri me dije se angazhohet që në kuadër të përgjegjësisë sociale të mbulojë shpenzimet për rindërtimin e plotë të fasadës dhe rikthimin e apartamenteve të dëmtuara në gjendjen e mëparshme.

Kompania thekson ndër të tjera se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit dhe standardet ligjore në fuqi, pa asnjë shtesë të paautorizuar, ndërsa punimet janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente.

“Arlis Ndërtim” sqaron se për punimet e fasadës janë angazhuar kompani të specializuara dhe të regjistruara ligjërisht, të cilat kanë marrë përsipër realizimin e tyre sipas standardeve përkatëse. Gjithashtu, bëhet me dije se për objektin janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore që prej vitit 2021, përfshirë kolaudimin dhe dorëzimin e rregullt tek banorët.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)