“Hodhën mbeturina te vatra e zjarrit”, Prokuroria merr në pyetje 5 të mitur pas shkrumbimit të pallatit në Tiranë

Fëmijët, të gjithë banorë të kompleksit ku ndodhi ngjarja, janë marrë në pyetje në prani të prindërve dhe psikologëve.

24.04.2026. 10:15

“Hodhën mbeturina te vatra e zjarrit”, Prokuroria merr në pyetje 5 të mitur pas shkrumbimit të pallatit në Tiranë

Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për zjarrin që përfshiu një pallat shumëkatësh te “Farmacia 10” në kryeqytet, ku janë marrë në pyetje edhe pesë të mitur. Sipas hetimeve paraprake dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, fëmijët shfaqen duke hedhur mbeturina në një karrocë, e cila dyshohet si pika ku ka nisur vatra e zjarrit.

Të miturit, të gjithë banorë të kompleksit ku ndodhi ngjarja, janë marrë në pyetje në prani të prindërve dhe psikologëve. Ata kanë deklaruar se veprimet e tyre nuk kanë qenë të qëllimshme dhe se nuk kanë qenë të vetëdijshëm për rrezikun që mund të shkaktonin. Fëmijët shpjeguan se pranë një kondicioneri, ndodhej një karrocë me mbeturina dhe një objekt i ndezshëm.

Ndërkohë, Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e veprimeve shtesë hetimore në terren, si dhe marrjen e deklarimeve nga persona të tjerë që mund të kenë informacion për rrethanat e ngjarjes. Ekspertiza përfundimtare mbi shkakun e zjarrit ende nuk është përcaktuar. Në lidhje me çështjen, me kërkesë të Policisë së Shtetit janë proceduar edhe katër persona.

Ata janë Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna, të dyshuar për shkelje të rregullave të sigurisë nga zjarri. Gjykata ka vendosur për ta masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar saktësisht shkaqet dhe përgjegjësitë për zjarrin që shkaktoi dëme materiale në ndërtesë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)