Do trafikonte dy pistoleta dhe një armë taktike luftarake, arrestohet 48-vjeçari në Tiranë

Autoritetet kanë publikuar edhe pamje nga operacioni, ku shihet momenti i ndjekjes së automjetit, rrethimi i tij dhe arrestimi i të dyshuarit nga agjentët e policisë.

24.04.2026. 11:47

Do trafikonte dy pistoleta dhe një armë taktike luftarake, arrestohet 48-vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion të koduar “Barriera”, duke goditur një rast të dyshuar të trafikut të armëve në kryeqytet dhe duke vënë në pranga një 48-vjeçar. Aksioni është zhvilluar në zonën e Tufinës, ku shërbimet e policisë kanë ndaluar një automjet në lëvizje në rrugën “Myslym Keta”.

Gjatë kontrollit, në mjet janë gjetur tre armë zjarri, konkretisht dy pistoleta dhe një armë taktike luftarake. I arrestuari është shtetasi me inicialet L. M., 48 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se po transportonte armët me qëllim shitjeje në zonat e Freskut dhe Tufinës.

Policia bëri të ditur se armët dhe automjeti janë sekuestruar si prova materiale, ndërsa materialet e rastit i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e procedurave ligjore. Autoritetet kanë publikuar edhe pamje nga operacioni, ku shihet momenti i ndjekjes së automjetit, rrethimi i tij dhe arrestimi i të dyshuarit nga agjentët e policisë.

Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse i arrestuari ka bashkëpunëtorë të tjerë në këtë aktivitet të paligjshëm.

NJOFTIMI I POLICISË SË TIRANËS:

“Në bazë të informacioneve të siguruara për një rast të posedimit të armëve të zjarrit, me qëllim shitjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Barriera”.

“Gjatë operacionit, u vu në pranga shtetasi L. M.,  48 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Myslym Keta”, Tufinë, ndërkohë që lëvizte me automjetin e tij. Nga kontrollet në automjet, u gjetën 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake), që dyshohet se ky shtetas i posedonte me qëllim shitjen në zonat “Fresku” dhe “Tufinë”, tha policia.

Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 3 krehra me municion, automjetin që drejtonte shtetasi L. M. dhe celularin e tij. Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)