“E paprecedentë dhe shkelje e parimeve demokratike”, Salianji: Më refuzuan kandidimin, PD nuk është pronë private

Sipas tij, refuzimi i pranimit të kandidaturës nuk është thjesht një çështje procedurale, por një tregues i qartë i mënyrës se si po drejtohet partia.

30.04.2026. 22:17

“E paprecedentë dhe shkelje e parimeve demokratike”, Salianji: Më refuzuan kandidimin, PD nuk është pronë private

Deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar pas refuzimit të dokumenteve të tij për kandidimin në garën për kryetar të partisë, duke e cilësuar këtë vendim si një akt të paprecedentë në historinë politike. Në një deklaratë publike, Salianji u shpreh se Partia Demokratike nuk mund të trajtohet si pronë private, por si një pasuri e përbashkët e qytetarëve shqiptarë.

“Partia Demokratike është pasuri e shqiptarëve. Ajo nuk mund të jetë pronë private”, deklaroi ai. Sipas tij, refuzimi i pranimit të kandidaturës nuk është thjesht një çështje procedurale, por një tregues i qartë i mënyrës se si po drejtohet partia.

“Është prova më e qartë se Partia Demokratike po trajtohet si pronë personale dhe jo si një aset publik i ndërtuar me sakrificë nga mijëra demokratë”, u shpreh Salianji. Ai theksoi se mungesa e garës dëmton vetë funksionimin demokratik të partisë, duke shtuar se pas këtij vendimi fshihen interesa të ngushta.

“Kur ndalohet gara, nuk mbrohet partia por mbrohen interesat e ngushta të një grupi që ka frikë nga vota dhe nga drejtësia”, tha ai. Demokrati nënvizoi se kërkesa e tij ka qenë për një proces të hapur dhe konkurrues. “Unë nuk kam kërkuar privilegje. Kam kërkuar garë. Nuk kam kërkuar emërim, kam kërkuar votë. Kjo është demokracia”, deklaroi ai, duke shtuar se vetëm përmes votës partia mund të rikthehet fituese.

Në vijim, Salianji e cilësoi vendimin si një refuzim jo vetëm ndaj tij, por ndaj të gjithë anëtarëve që besojnë në një parti të hapur. “Ky nuk është refuzim ndaj meje, por ndaj çdo demokrati që beson se kjo parti duhet të jetë konkurruese dhe fituese. Praktikisht është uzurpim i funksioneve”, theksoi ai. Në përfundim, Salianji u shpreh se beteja e tij është për parime dhe nuk përfundon me këtë vendim: “Kjo është një betejë për parim, jo për post. Dhe kjo betejë nuk mbaron sot, sepse Partia Demokratike është më e madhe se çdo individ që tenton ta mbajë peng”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)