GJKKO ka vendosur të lërë në qeli ish-kreun e Autoriteti Rrugor Shqiptar, Evis Berberi duke rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së sigurisë me garanci pasurore. Berberi, i arrestuar më 14 mars 2024, kishte kërkuar ndryshimin e masës “arrest në burg”, por gjykata e refuzoi kërkesën, duke lënë në fuqi masën ekzistuese të sigurisë.
Sipas hetimeve të SPAK, ish-zyrtari dyshohet për përfshirje në një skemë korruptive që lidhet me disa procedura tenderash me vlerë miliona euro. Hetuesit pretendojnë se fillimisht, në kohën kur drejtonte Agjencinë për Efiçencën e Energjisë, ai ka ndikuar në disa procedura prokurimi që kanë përfituar një kompani private, e cila sipas prokurorisë lidhet indirekt me vetë Berberin.
Më tej, sipas dosjes hetimore, e njëjta kompani ka përfituar kontrata edhe gjatë periudhës kur ai drejtonte ARRSH-në, duke ngritur dyshime për konflikt interesi dhe korrupsion të përsëritur. Prokuroria po heton gjithashtu lëvizje financiare midis kompanive të ndryshme private.
Ato dyshohet se janë përdorur për transferim parash dhe blerje pasurish të paluajtshme, duke ngritur dyshime edhe për pastrim parash. Hetimet vijojnë, ndërsa Berberi mbetet nën masën e sigurisë “arrest në burg”.
NJOFTIMI I GJKKO:
Kërkuesi, i pandehuri Evis Berberi me datë 18.05.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal të caktuar nga Gjykata me anë të vendimit nr. 21, datë 13.03.2024 dhe vendimit nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Marinela Osmani, Flora Hajredinaj dhe Flojera Davidhi, me vendimin nr. 376, datë 22.05.2026, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës penale të të pandehurit Evis Berberi, si të pabazuar në ligj dhe në prova.
2. Shpenzimet gjyqësore sikurse janë kryer.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve, nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsioni dhe Krimin e Organizuar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)