Rreth një orë pas përplasjes së policisë me Adriatik Lapajn dhe mbështetësit e tij, në të njëjtin vend para Kryeministrisë është ngritur “Foltorja” e përjavshme e Partisë Demokratike, e cila mban edhe fotot e kryeministrit Edi Rama, Belinda Ballukut, Erion Veliajt, Sajmir Tahirit e të tjerë zyrtarë të lartë të PS, të veshur me uniformën e burgut.
Kjo është Foltorja e pestë e Partisë Demokratike, ndërsa protestat për rrëzimin e qeverisë Rama, sië deklaroi sot kreu i saj Sali Berisha do të kulmojnë më 22 dhjetor, me tubimin mbarëkombëtar përballë Kryeministrisë.
Në protestën e sotme mbështetësve të opozitës iu është bashkuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” edhe Argita Berisha, vajza e kreut të selisë blu.
Teksa mori fjalën në “Foltore”, kryedemokrati Sali Berisha tha se sot opozita ka nisur betejën përfundimtare për rrëzimin e Edi Ramës. Ai mori në mbrojtje edhe kreun e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, duke akuzuar qeverinë se po dhunon qytetarët që protestojnë të lirë në emër të çdo shqiptari.
“Sot mblidhemi për të shpallur para jush dhe mbarë shqiptarëve se PD nis betejën e saj përfundimtare për fitoren e opozitës dhe fitoren e shqiptarëve. Miqtë e mi parafolësit thanë që Rama është një hajdut i pa përmbajtur, por nga të gjitha ligësitë e njeriut, ajo që shteron guximin më shumë është vjedhja, ndaj Rama është frikacaku më i madh që ka njohur historia. Shihni ç’bën çdo natë me Lapajn në protestën e tij më qytetare e civile, vë një karrige atyre, disa mjete dhe proteston në emër të çdo qytetari. Nuk duhet të ndalemi deri në largimin e kriminelit të votës së lirë. Bashkë me zëvendëskryeministren kapen në flagrancë se kanë vjedhur në tunelin e Llogarasë. Në çdo vend dorëheqja do të ishte hapi i radhës, ky mirë që nuk dorëhiqet por merr nga gjykata licencën për të vjedhur. A mund të pranojmë ne një kryeministër të tillë? Kurrë! Do të paguajmë çdo çmim. Atë që ka provuar në ’91 do t’ia kthejmë sërish. Koha është e guximtarëve”, deklaroi Berisha.
E para që mori fjalën nga radhët e deputetëve të PD ishte Ina Zhupa, e cila ka dënuar spostimin nga policia të Adriatik Lapajt dhe mbështetësve të tij nga trotuari para Kryeministrisë, para nisjes së “Foltores”, duke theksuar se hapësirat publike u përkasin të gjithëve dhe se çdo formë dhune ndaj aktivistëve është e papranueshme.
Zhupa shprehu mbështetjen e saj për protestën e nismës “Shqipëria Bëhet”, ndërsa nënvizoi se vetëm përmes bashkimit të qytetarëve mund të arrihet rrëzimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
“Keni zgjedhur të qëndroni, keni zgjedhur të protestoni e të flisni në emër të shqiptarëve që protestojnë çdo ditë për gjendjen e tyre, por nuk kanë gjetur kurajën të na bashkohen. Mbështes edhe protestën e ‘Shqipëria Bëhet’ dhe dënoj dhunën e policisë, sepse sheshi është i të gjithëve. Jemi që në shtator që jemi mbledhur në Kuvend. PD propozon mocion me debat për skandalin e Onkologjikut dhe ata rrezohen. Kam propozuar amendim për sigurinë në shkolla, po na vrasin fëmijët në shkolla dhe nuk e miratojnë. Nuk miratojnë asgjë që çon para te mësuesit, te fermerët”, u shpreh Zhupa.
Në mbyllje, deputetja e PD u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e radhës që Partia Demokratike do të mbajë më 22 dhjetor, duke e cilësuar angazhimin qytetar si të domosdoshëm për ndryshimin politik në vend.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)