Korrupsion e pastrim parash, kalon për gjykim dosja ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë të dy të akuzuar nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

18.03.2026. 11:37

Korrupsion e pastrim parash, kalon për gjykim dosja ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit

Gjykata e Posaçme ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të cilët akuzohen për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Vendimi u mor pas pranimit të kërkesës së prokurorit Sotir Kllapi, ndërsa gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, përfundoi shqyrtimin e çështjes pas një procesi tetëmujor. Mbrojtja kishte kërkuar pushimin e çështjes ose kthimin e saj për hetim të mëtejshëm, por këto kërkesa nuk u pranuan.

Pasi GJKKO kaloi për gjykim dosjen, Monika Kryemadhi tha për mediat se ky “ishte një vendim i marrë nën presion”

“Jo të gjithë e mbajnë presionin”, sipas ish-kryetares së LSI, e cila shtoi se “vetë gjyqtarja e pranoi se në 80% të dosjes nuk ka asgjë”.

“Avokati është i indinjuar sepse kishte pritshmëri. Por nuk mund të ketë pritshmëri nga drejtësia e Ramës. Do kënaqemi me seancat gjyqësore. Do shikojmë Big Brother me drejtësinë. SHBA dhe BE kanë harxhuar miliona euro dhe u kthye në inkuizicion politik. Është përmendur Adrian Shatku dhe nuk është marrë njëherë në pyetje. Analizën financiare e ka bërë një eksperte që pasi bëri analizën time u kandidua për bordin e Bankës së Shqipërisë dhe pasi u përdor aty i thanë ik se nuk bën më. Është një drejtësi qesharake. Por është e mirë sepse në Strasburg i jep shans Metës që të tregojë se miliona dollarë që janë paguar për sistemin e drejtësisë nga SHBA dhe BE. Ky është një gjyq politik. Kam frikë se videot e Gys Agasit kërcënojnë dhe shumë njerëz në GJKKO. Fatin e kemi ne në dorë. Beteja ligjore ka mbaruar. Beteja jonë është me veten dhe zotin”, deklaroi Kryemadhi.

Avokati i ish-presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka reaguar pas vendimit duke u shprehur kritik ndaj Gjykatës së Posaçme, me pretendimin se procesi ka mangësi të theksuara në hetim dhe se vendimi shënon kalimin nga një çështje ligjore në një përplasje politike.

“Gjykata pasi relatoi kërkesat tona, kur ne i kishim të bazuara për plotësim hetimet, konstatoi se hetimet janë të paplota. Përsëri nuk u ngrit në lartësinë që kërkon detyra, nuk pranoi kërkesat dhe e kaloi çështjen për gjykim duke thënë që këto çështje zgjidhen vetëm në themel”, u shpreh ai.

Sipas avokatit, gjykata ka pranuar ekzistencën e mangësive, por ka refuzuar të kthejë çështjen për hetime shtesë.

“Gjykata e themelit do të bëjë dhe prokurorin dhe gjykatësin. Nuk ka asnjë të re. Sot ka përfunduar çështja ligjore, në themel fillon çështja politike. Kjo është një procedurë koti. Kemi 7 muaj që merremi me gjykatën dhe janë tallur me avokatët”, deklaroi Cakrani.

Ai renditi gjithashtu disa nga elementët që, sipas mbrojtjes, mbeten të pahetuar siç duhet.

“Mangësitë e hetimeve kanë qenë dëshmitë që duhet të merreshin në SHBA, që gjykata i konstatoi, dëshmitë në Shqipëri me parlamentarët shqiptarë, që nga Rama dhe të gjithë ata që ideuan ligjin për minierat. Gjykata përsëri tha që duhet të merren në themel. Prova të tjera janë aktet dhe vlerësimet financiare të Kryemadhit, ku edhe aty ka mangësi. Kryemadhi dhe Meta nuk janë familjarë. Kanë qenë dy deputetë me role të ndryshme në jetën politike”, tha ai.

Në këtë dosje janë të pandehur edhe tre persona të tjerë. Babai i deputetes s PL-së, Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, të akuzuara për pastrim parash.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik të vitit të kaluar dhe në fund të gushtit e dërgoi dosjen në gjykatë. Çështja ‘Meta-Kryemadhi’ përfshin tre hetime kryesore që lidhen me aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara dhe hetimin pasuror ndaj ish-bashkëshortëve.

Nga pesë të pandehurit, vetëm Ilir Meta ndodhet në burg, pasi u arrestua në tetor 2024. Të gjitha kërkesat e tij për ndryshim të masës së sigurisë, përfshirë edhe atë të shqyrtuar së fundmi nga Gjykata e Lartë, janë rrëzuar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)