Bashkëpunimi dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ishte në qendër të takimit të zhvilluar këtë të martë në Athinë mes Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, dhe Ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Greqi.
Gjatë bisedimeve u theksua roli i Shqipërisë dhe Greqisë si vende aleate në NATO, që kontribuojnë aktivisht në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, në Evropë dhe më gjerë. Në këtë kontekst, u përmend edhe fakti se Shqipëria do të presë Samitin e NATO-s në vitin 2027, një ngjarje që nënvizon angazhimin e vendit në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.
Ministrja Spiropali vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve po zhvillohen mbi baza të qëndrueshme dhe interesa strategjike të përbashkëta, duke theksuar se bashkëpunimi do të vijojë përmes një agjende konkrete iniciativash që vendosin në qendër qytetarët e të dyja vendeve. Ajo shtoi se këto marrëdhënie janë udhëhequr ndër vite nga perspektiva e përbashkët europiane.
Nga ana e tij, ministri Dendias nënvizoi se Greqia e sheh Shqipërinë si një partner të besueshëm dhe të përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe sigurisë europiane. Ai vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë mes strukturave të mbrojtjes dhe sigurisë të dy vendeve, veçanërisht në kuadër të NATO-s dhe iniciativave rajonale, ku Shqipëria ka një rol të rëndësishëm.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)