Në prag të protestës kombëtare të opozitës, ish-presidenti Ilir Meta ka dërguar një mesazh nga burgu, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për ngritjen e asaj që ai e quan “barrikada e 83 ‘Diejve’”, me synim pengimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e pushtetit përmes korrupsionit. Meta u bën thirrje qytetarëve që të bashkohen dhe të dalin masivisht në shesh për të “shembur regjimin kleptokratik”.
Në mesazhin e lexuar gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, Meta e përshkruan qeverisjen aktuale si një regjim mafioz që, sipas tij, ka shkatërruar familjen, ka rrënuar institucionet dhe ka kthyer drejtësinë në një instrument politik. Ai thekson se ligji i ashtuquajtur “antifamilje” përbën një atentat ndaj identitetit dhe dinjitetit të shqiptarëve, duke kërkuar reagim pa dallime partiake.
Sipas Metës, drejtësia në vend është produkt i një procesi antikushtetues dhe përdoret për të mbrojtur bashkëpunëtorët e pushtetit, ndërsa prova të rëndësishme, siç u shpreh ai, “avullojnë” kur bëhet fjalë për zyrtarë të lidhur me qeverinë. Ish-presidenti akuzon kryeministrin se ka kthyer shumicën parlamentare në një mur mbrojtës për të penguar hetimet dhe arrestimet e figurave kyçe të përfshira në afera korruptive.
Në të njëjtën linjë ishte edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili deklaroi se “kauza që Ilir Meta mbron nuk mund të burgoset kurrë” dhe se ajo do të jetë e pranishme në shesh përmes qytetarëve. Sipas Blushit, shqiptarët duhet të ngrihen sot për të drejtat e tyre të shkatërruara nga regjimi.
Meta shkruan në mesazh se misioni i opozitës është t’ua rikthejë Shqipërinë shqiptarëve, duke theksuar se ky qëllim do të arrihet “me çdo çmim”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)