Mes thirrjeve për ndryshim dhe akuzave të forta ndaj qeverisë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, mbajti një nga fjalimet kryesore në protestën kombëtare të opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Bardhi e cilësoi praninë e qytetarëve si dëshmi se shoqëria shqiptare nuk është dorëzuar dhe se kërkesa për ndryshim është më e fortë se kurrë.
Duke iu drejtuar protestuesve, Bardhi falënderoi qytetarët për mbështetjen ndaj Partisë Demokratike, duke theksuar se besimi i tyre është kthyer në shpresë për të ardhmen e vendit. Ai deklaroi se protesta e sotme nuk ka karakter partiak, por është një reagim ndaj, sipas tij, një realiteti të mbytur nga korrupsioni dhe kapja e shtetit.
“Ju falënderoj sepse forca juaj është kthyer në shpresën tonë. Në shpresën e Shqipërisë, ju falënderoj për besimin që i jepni PD, në këtë kohë të sundimit të kolerës e korrupsionit. Prania juaj sonte do të thotë se kjo shoqëri ka ende guxim dhe e do ndryshimin. Nga ju në këtë shesh kam mësuar se sakrificat dhe besimi do të na çojnë përpara me besim për largimin e Ramës, Kryeministri më i korruptuar në Europë dhe botë. Kjo protestë është për dinjitetin tonë të përbashkët dhe të ardhmen që nuk ia falim Ramës. Ne jemi këtu sepse korrupsioni po i merr frymën Shqipërisë. Kartelet e drogës bashkë me qeverinë e tyre po vjedhin. Rama, Balluku, banda kriminale që qëndrojnë pas tyre duan që ne të heshtim. Bashkë me çetën e tyre të megahajdutëve, ne do u themi se ata e kanë gabim. U themi hajdutëve dhe kriminelëve të qeverisë së koha e tyre ka mbaruar”, tha ai.
Në fjalën e tij, Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të lartë të qeverisë për lidhje me krimin e organizuar dhe për grabitje të pasurive publike, duke përmendur edhe emra konkretë si Belinda Balluku. Sipas tij, korrupsioni po i merr frymën Shqipërisë dhe po detyron qytetarët të largohen nga vendi, ndërsa pushteti përpiqet të heshtë zërat kundërshtarë.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së u shpreh se qeveria ndodhet për herë të parë e frikësuar nga pasojat e veprimeve të veta, duke theksuar se asnjë regjim nuk rrëzohet vetëm me fjalë, por kur qytetarët refuzojnë të pranojnë më nënshtrimin. Ai u bëri thirrje protestuesve që të qëndrojnë të bashkuar dhe të rezistojnë.
“Qëndresë sot, rezistencë nesër dhe fitore për Shqipërinë”, ishte mesazhi i Bardhit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)