“Kuvendi, bunker i Belinda Ballukut”, Bardhi akuza Ramës e Peleshit: Po bëni avokatinë e zv/kryeministres

Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, në një prononicm për mediat, u shpreh se Kuvendi është kthyer në bunkerin që mbron korrupsionin e zv/kryeministres Belinda Balluku, pasi pesë anëtarët e PD në Këshillin e Mandateve e gjetën të mbyllur derën e sallës ku do të mblidheshin në orën 11:00.

26.12.2025. 12:02

“Kuvendi, bunker i Belinda Ballukut”, Bardhi akuza Ramës e Peleshit: Po bëni avokatinë e zv/kryeministres

Pasi gjetën të mbyllur derës e sallës ku zhvillohen mbledhjet e Këshillit të Mandateve, duke ua pamundësuar në këtë mënyrë mbledhjen e thirrur prej tyre për çështjen “Balluku”, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha për mediat se shtyrja që mazhoranca po i bën shqyrtimit të kërkesës së SPAK për imunitetin e zv/kryeministres ka si qëllim t’i japë kohë asaj për të ndikuar mbi dëshmitarët dhe për të prishur provat.

Bardhi e akuzoi Ballukun për intimidim të një vartëseje të saj, e cila sipas tij ka bashkëpunuar me SPAK dhe ka dhënë dëshmi lidhur me procedurën e tenderit të tunelit të Llogarasë.

“E keni parë që media ka publikuar dëshminë e vartëses së Ballukut që ka bashkëpunuar me SPAK për të treguar si është zhvilluar procedura e tenderit të tunelit të Llogarasë. Është kjo vartëse që është intimiduar nga Balluku. Këta po tentojnë që duke i dhënë kohë Ballukut të prishin provat, të intimidojnë dëshmitarët dhe të pengojnë drejtësinë”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, pesë anëtarët e opozitës në Këshillin e Mandateve kishin thirrur mbledhjen e Këshillit këtë të martë në orën 11:00, por ajo nuk u zhvillua pasi salla ku do të mbahej mbledhja ishte e mbyllur me çelës.

Bardhi akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se po përdorin institucionin e Kuvendit për të mbrojtur Ballukun, ndaj së cilës SPAK ka kërkuar prej 10 ditësh heqjen e imunitetit.

“Gjysma e Këshillit kërkoi mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve. Mbushen sot 10 ditë që kur SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit të Ballukut, e akuzuar për shkelje në 11 procedura tenderimi me vlerë 1.1 miliardë euro. Në një akt të turpshëm dhe të paprecedentë të Peleshit, jo vetëm që u mbyll çdo sallë mbledhjeje në Kryesi, por u penguan edhe deputetët që në sallën e tyre të komunikonin me mediat”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se Kuvendi është shndërruar në një bunker për të mbrojtur zv/kryeministren.

“Nuk kishte ndodhur kurrë që Kuvendi të kthehej në bunkerin e Belinda Ballukut. Mendojnë se do të marrin peng drejtësinë dhe do ta pengojnë të bëjë detyrën e saj. E kanë gabim. Peleshi, njësoj si Rama, e ka kthyer zyrën e tij në zyrë avokatie të Belindës”, përfundoi Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)