Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Gent Strazimiri, Elda Hoti dhe Oerd Bylykbashi e kanë gjetur të mbyllur derën e sallës së Këshillit të Mandateve, pavarësisht se kishin thirrur një mbledhje në orën 11:00, e po ashtu i kishin kërkuar kolegëve socialistë të bëheshin pjesë e saj përmes një shkrese dërguar kryeparlamentarit Niko Peleshi.
Deputetët nuk mundën të hynin për të ushtruar detyrat e tyre dhe ligjvënësit demokratë kanë akuzuar Peleshin se ai ka dhënë urdhër që të mbyllet salla e mbledhjes së Këshillit.
Mbledhja e vetme e Këshillit të Mandateve për çështjen “Balluku” u realizua më 19 dhjetor, por pas 5 orësh diskutime edhe në praninë e drejtuesit të ri të SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorëve të çështjes Dritan Prençi e Dorina Bejko, nuk u mor asnjë vendim.
Kryetari Niko Peleshi e mbylli mbledhjen asokohe duke mos përcaktuar një datë për mbledhjen e radhës, ndërsa deputetëve ju lejua aksesi në USB-në me mbi 10 mijë faqe prova kundër Ballukut, që ishte dorëzuar më herët nga SPAK, së bashku me kërkesën për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres.
Sakaq për çështjen në fjalë, kryeministri Edi Rama përmes podcastit të tij “Flasim” është shprehur se nuk do të ketë një mbledhje të Këshillit të Mandateve para datës 22 janar, dita kur Gjykata Kushtetuese do të shprehet për pezullimin e Ballukut nga detyrat qeveritare.
Belinda Balluku ndodhet nën hetim nga SPAK për disa çështje të dyshuara korruptive. Ajo po ashtu është marrë e pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë” dhe 7 procedura të tjera tenderimi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)