“Të zëmë bulevardin deri në largimin e Ramës”, Berisha vijon akuzat ndaj Ballukut dhe AKSHI-t

Sali Berisha gjatë prezantimit të drejtuesit të ri të departamentit Brain Gain, theksoi rolin kyç të të rinjve dhe të departamentit në ripërtëritjen e PD-së dhe mobilizimin e opozitës për të çuar para drejtësisë autorët e abuzimeve dhe për të larguar regjimin e Edi Ramës.

29.12.2025. 12:51

“Të zëmë bulevardin deri në largimin e Ramës”, Berisha vijon akuzat ndaj Ballukut dhe AKSHI-t

Në një takim ku u prezantua drejtimi i ri i departamentit Brain Gain, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli për rëndësinë historike të këtij departamenti dhe sfidat që PD ka ndaj Diasporës dhe strukturave të saj. Berisha theksoi se departamenti Brain Gain nuk ka qenë thjesht një entitet formal, por ka ndërmarrë veprime themelore për mbrojtjen e trashëgimisë dhe simboleve të PD-së, në kohë kur propaganda kombëtare dhe ndërkombëtare synonte shkatërrimin e saj, sipas tij.

“Ky departament nuk qëndroi thjesht në fushën e parimeve dhe të doktrinës, por kaloi në veprime të rëndësishme, themelore për PD. Krenar për qenien e tyre kaq demokrat dhe si shqiptar,” tha Berisha.

Berisha akuzoi qeverinë Rama për vjedhje të parave të shqiptarëve dhe për pengim të drejtësisë. Ai iu referua dy dosjeve të njohura si “dosjet e Lubisë”, referuar Belinda Ballukut. “Dy dosjet e Lubisë, qoftë tuneli, qoftë unaza, Rama del aq sa Lubia me mesazhet. Kurse AKSHI i kunatit dhe familjes është historia më unike në Europë dhe botë. Merresh peng dhe nuk hetohesh.” Ai u shpreh se opozita duhet të mobilizohet për të çuar para drejtësisë autorët e abuzimeve dhe për të larguar regjimin aktual. “Nuk ka forcë në botë që e mban në pushtet Edi Ramën në qoftë se ne i pushtojmë sheshin. Kjo është rruga!”

Berisha vuri në dukje rolin kyç të të rinjve dhe të departamentit Brain Gain në zhvillimin e projekteve të reja për PD-në dhe shoqërinë shqiptare. “Departamenti Brain Gain është një departament, anëtarët e të cilit janë njerëz me energji, janë njerëz të suksesit… Krijimi i hapësirave për projektet e tyre të ardhshme është i një rëndësie vendimtare për PD-në, ripërtëritjen e saj.”

Ai gjithashtu bëri thirrje për veprimtari shumëplanëshe, duke theksuar se vetëm kështu mund të realizohet misioni historik i përmbysjes së regjimit autokratik, siç e quan ai. “Koha është e pamëshirë. Vetëm në këtë mënyrë do mund t’i përgjigjemi misionit historik të përmbysjes së diktaturës autokratike të Edi Ramës.”

Berisha përmendi gjithashtu rëndësinë e protestave dhe pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në shesh për të luftuar korrupsionin dhe për të rikthyer drejtësinë. “Duhet të zëmë bulevardin, deri sa ky të qërohet dhe të shkojë para gjykatës për vjedhjet që ka bërë. Pra, në një kontekst, PD ecën e sigurt drejt pushtetit.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)