Nga protesta e zhvilluar këtë të dielë përpara Kryeministrisë, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se vetëm presioni qytetar përmes protestave të vazhdueshme mund të çojë në rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe në hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme.
Lapaj theksoi se nuk pret asnjë reflektim nga kryeministri, por apeloi për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe rezistencë të vazhdueshme në shesh.
“Nuk pres asnjë reflektim nga Rama. Ajo që pres është të ndërgjegjësojmë njerëzit duke u bërë shembull se protesta është rezistencë derisa realizohet e drejta”, u shpreh Lapaj.
Ai kritikoi mënyrën se si po trajtohen protestuesit dhe bëri thirrje për qëndresë të organizuar.
“Duhet të vendosen çadra se i merr era. Mua më vjen rëndë që na lënë me plastmas dhe jo me çadër. Kjo është mungesë e theksuar njerëzillëku”, tha ai.
Sipas Lapajt, protesta nuk duhet të shndërrohet në një betejë partiake, por në një kauzë qytetare që bashkon të gjithë shqiptarët.
“Nuk është koha të ngremë flamurin e partisë, por të bashkohemi për flamurin e Shqipërisë. Asnjë parti politike nuk mund ta rrëzojë regjimin e Ramës. Vetëm duke qëndruar dhe duke ndërgjegjësuar qytetarët”, deklaroi ai.
Lapaj shtoi se sheshi duhet të jetë i hapur për këdo që vjen me flamurin kombëtar, ndërsa lëshoi edhe një mesazh për ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Berisha të hyjë në stinën e jetës dhe sheshet t’ua lërë djemve dhe vajzave të PD-së”, u shpreh kreu i “Shqipëria Bëhet”.
Duke folur për një qeveri të mundshme tranzitore në rast të zgjedhjeve të parakohshme, Lapaj theksoi se ajo nuk duhet të përfshijë asnjë politikan aktiv. Ai propozoi dy emra që, sipas tij, mund të merrnin përgjegjësi në këtë fazë të ndjeshme për vendin.
“Asnjë politikan nuk duhet të jetë në qeveri tranzitore. Përparim Kabo dhe Tritan Kalo do të merrnin përgjegjësinë kombëtare në këtë fazë të rëndësishme”, përfundoi Lapaj.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)