Gonzato në krah të kreut të SPAK në Tiranë: Çrrënjosni krimin e organizuar duke goditur financat e tyre

Forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një nga prioritetet kryesore të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

06.03.2026. 17:38

Gonzato në krah të kreut të SPAK në Tiranë: Çrrënjosni krimin e organizuar duke goditur financat e tyre

Forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një nga prioritetet kryesore të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ky mesazh u theksua gjatë mbledhjes së komitetit drejtues të projektit “EU4LawEnforcement”, e zhvilluar në Tiranë.

Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, të Bashkimit Evropian dhe partnerë ndërkombëtarë, të cilët diskutuan mbi progresin e projektit dhe hapat e ardhshëm për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të zbatimit të ligjit në vend. Pjesë e tryezës ishte edhe drejtuesi i Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se projekti ka një mandat të gjerë për të mbështetur Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe në forcimin e hetimeve financiare.

Sipas tij, një nga objektivat kryesore është finalizimi i Strategjisë Kombëtare kundër Krimit të Organizuar dhe funksionalizimi i Zyrës së Rikuperimit të Pasurive.

“Funksionimi i kësaj zyre është thelbësor për hetime financiare të suksesshme. Ajo është një gur themeli i vizionit tonë të përbashkët për të çrrënjosur krimin e organizuar duke goditur interesat ekonomike dhe financiare të rrjeteve kriminale”, u shpreh Gonzato.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)