Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim online me qytetarët, ku hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për uzurpim të institucioneve, kapje të Parlamentit dhe përpjekje për të vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë.
Sipas Berishës, zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në vend janë dëshmi e asaj që ai e cilësoi si “degradim total i narko-shtetit”. Ai deklaroi se Rama po përdor Parlamentin si një instrument për të bllokuar hetimet penale dhe për të garantuar pandëshkueshmërinë e tij dhe të bashkëpunëtorëve.
“Edi Rama ka pushtuar de facto Parlamentin dhe po e përdor atë si instrument për një grusht shteti ndaj drejtësisë”, u shpreh Berisha, duke shtuar se mazhoranca synon të miratojë ligje me procedura të përshpejtuara për të penguar veprimtarinë e organeve të drejtësisë, përfshirë SPAK-un.
Berisha akuzoi qeverinë se po kufizon qëllimisht rolin e opozitës në Kuvend, duke bllokuar fjalën për procedurë, interpelancat, komisionet hetimore dhe ushtrimin e të drejtave kushtetuese.
“Mazhoranca po synon të zhdukë çdo hapësirë minimale të opozitës. Parlamenti po shndërrohet në një noter të verbër të vullnetit të kryeministrit”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te Dosja “Balluku”, për të cilën tha se në thelb është Dosja “Rama”.
“Në 6 mijë mesazhe të dosjes ‘Balluku’, shumica dërrmuese lidhet direkt me Palloshin e gjatë dhe janë të tijat. Në tre rreshta të asaj dosje, dy janë akuza direkte për Edi Ramën”, tha Berisha.
Ai hodhi akuza të rënda edhe për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke e cilësuar si një nga aferat më të rënda kriminale, abuzimin me tendera që SPAK ka provuar në këtë institucion.
“Dosja e AKSHI-t është një dosje kriminale e shkallës më të lartë. Ergys Agasi, me urdhër të Edi Ramës, ka kontrolluar çdo të dhënë private, çdo telefon dhe çdo e-mail të kujtdo personi që Rama ka kërkuar, shqiptar apo i huaj”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, tenderët e AKSHI-t janë përdorur për përfitime qindra milionëshe, që sipas opozitës kanë përfunduar te familjarë të kryeministrit.
“Baxhanaku fiton tendera me 98 për qind fitim, pa bërë asnjë punë, asnjë faturë. Janë thjesht transferta nga thesari i shtetit në kontot bankare”, akuzoi Berisha, duke përmendur edhe një tender prej 75 milionë eurosh për inteligjencën artificiale, që e cilësoi “një trillim fund e krye”.
Në përfundim, kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë, duke theksuar se zgjidhja nuk mund të vijë më nga institucionet e kapura.
“Fjala tani është vetëm e qytetarëve. Pa reagimin e tyre, Shqipëria nuk shpëton nga ky regjim”, deklaroi Berisha.
Ai ritheksoi se opozita është e vendosur në një “betejë përfundimtare” për largimin e asaj që e cilësoi si qeverisje të narko-shtetit dhe për krijimin e një qeverie teknike, e cila do të garantojë reformën zgjedhore, zgjedhje të lira dhe reformën territoriale.
“Me Edi Ramën nuk ka asnjë kompromis. Ai duhet të japë dorëheqjen dhe të paraqitet para ligjit për të gjitha aktet dhe vjedhjet monstruoze”, përfundoi Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)