Përdoruesit e platformës së basteve “Kalshi” kanë shprehur zemërim pasi kompania refuzoi të paguajë rreth 54 milionë dollarë fitime për bastet e vendosura mbi largimin e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei. Sipas raportimeve të “The Washington Post”, një lojtar kishte vënë 3,460 dollarë bast se Khamenei nuk do të ishte më në drejtim të vendit.
Fitimi i tij potencial arrinte në më tepër se 63 mijë dollarë, pasi fillimisht platforma e paraqiste bastin si të fituar. Megjithatë, më vonë kompania ndryshoi qëndrim dhe nuk e pagoi shumën që i detyrohej klientit. Si ky rast kishte edhe shumë të tjerë të ngjashëm.
Platforma “Kalshi” refuzoi që të paguante në total 54 milionë dollarë baste për përdoruesit të cilët kishin vendosur shifra të ndryshme parash te basti se gjatë fundjavës së kaluar Ayatollahu Ali Khamenei “do të largohej” nga detyra si udhëheqës suprem.
Arsyeja e dhënë nga kompania e basteve ishte se vdekja e liderit iranian nuk mund të konsiderohet automatikisht si “largim” nga posti i tij. Për të përforcuar më tepër argumentin se përse nuk pranon të paguajë bastet fituese, drejtuesit e kompanisë thanë se platforma nuk lejon drejtpërdrejt bastet që lidhen me vdekjen e një personi. Megjithatë, përdoruesit u rimbursuan me shifrën e barabartë të basteve të tyre.
Ata që prisnin fitime të mëdha kanë reaguar ashpër në rrjetet sociale, duke e quajtur vendimin të padrejtë dhe zhgënjyes. Por kishte edhe nga ata, si senatori demokrat, Chris Murphy që tha: “Kur ngjarjet që përfshijnë jetë dhe vdekje kthehen në mënyrë përfitimi financiar, kufiri mes së drejtës dhe së gabuarës bëhet i paqartë. Njerëzit nuk duhet të inkurajohen të përfitojnë nga vdekja e të tjerëve përmes basteve”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)