Ministrja Kumbaro uron mësuesit: Roli juaj, mision që zgjat gjatë gjithë jetës

Titullarja e arsimit vlerësoi rolin e mësuesve në orientimin e brezave të rinj drejt dijes, mendimit kritik dhe vlerave që ndërtojnë një shoqëri më të mirë.

07.03.2026. 12:24

Ministrja Kumbaro uron mësuesit: Roli juaj, mision që zgjat gjatë gjithë jetës

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ka uruar mësuesit shqiptarë me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit dhe misionit të tyre gjatë gjithë jetës.

“Të dashur mësues. Këtë vit, detyra ma kërkon t’ju drejtohem si ministre, por zemra më shtyn t’ju flas si një prej jush. Sepse arsimi është një profesion që vërtet ushtrohet deri në një farë moshe, por realisht mbetet një mision që të shoqëron gjatë gjithë jetës dhe modeli i secilit përcillet ndër breza”, tha ajo.

Në mesazhin e shpërndarë për publikun, Kumbaro u shpreh se ky vit e gjen komunitetin e mësuesve më të vlerësuar, me paga të rritura, zgjidhje për disa ngërçe ligjore për mësuesit e diplomuar para vitit 2017, përmirësim të mjediseve të mësimit dhe mbështetje nga personeli shtesë.

“Profesioni i mësuesit mund të mbyllet zyrtarisht në orën 2-3 pasdite, por përgjegjësia juaj vazhdon 24 orë në 24”, deklaroi ministrja, duke falënderuar sidomos mësuesit e rinj, të lindur pas viteve ’90, për zgjedhjen e këtij profesioni sfidues në një botë me mundësi të tjera.

Kumbaro vlerësoi rolin e mësuesve në orientimin e brezave të rinj drejt dijes, mendimit kritik dhe vlerave që ndërtojnë një shoqëri më të mirë, dhe përfundoi mesazhin me një urim të ngrohtë: “Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Mësuesit! Faleminderit për gjithçka që bëni për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e Shqipërisë”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)