Në një kohë kur Këshilli i Mandateve po mban pezull shqyrtimin e kërkesës së SPAK për t’i hapur rrugën heqjes së imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi vijon të artikulojë akuza ndaj saj për pengim të drejtësisë.
Në një deklaratë nga selia blu, Bardhi tha se Balluku po përdor pushtetin politik për të penguar drejtësinë dhe për të garantuar heshtjen e bashkëpunëtorëve të saj, në një kohë kur është nën hetim për 11 tendera me vlerë rreth 1.1 miliardë euro.
Sipas tij Balluku po shfrytëzon zvarritjen e vendimmarrjeve institucionale për të ndërtuar atë që ai e cilëson si “shtet paralel”.
“Belinda Balluku, e pandehur dhe nën hetim për 11 tendera me vlerë rreth 1.1 miliardë euro, po përdor pushtetin politik për të blerë heshtjen e bashkëpunëtorëve të saj të implikuar në korrupsion”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, emërimet e fundit në institucione kyçe janë prova e një strategjie të qëllimshme për kontroll politik dhe bllokim të hetimeve penale. Bardhi ndaloi veçanërisht te këmbëngulja për vendosjen e Viola Haxhiademit në krye të KESH-it, pavarësisht se, siç tha ai, është person nën hetim.
“Vendosja e një personi nën hetim në krye të KESH-it nuk ka lidhje me meritën. Është mesazh shpërblyes për heshtje dhe bindje”, u shpreh Bardhi.
Po ashtu, kreu i grupit parlamentar të PD-së e cilësoi “të rëndë dhe të qëllimshme” tentativën për t’i dhënë Irma Drobonikut një mandat 5-vjeçar në krye të Komisionit të Prokurimeve Publike.
“Komisioni i Prokurimeve Publike kontrollon çdo procedurë tenderimi. Vendosja afatgjatë e një personi nën hetim synon të garantojë mbrojtje politike për rrethin e ngushtë të Ballukut”, tha Bardhi.
Ai e lidhi këtë situatë edhe me arrestimin e ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi, duke theksuar se frika nga bashkëpunimi me SPAK-un ka shtyrë mazhorancën të tentojë kapjen e institucioneve.
“Ata nuk po presin drejtësinë. Ata po ndërtojnë mekanizma bllokimi kundër drejtësisë. Në çdo demokraci kjo quhet kapje e shtetit”, përfundoi Bardhi.
Sipas tij, çdo ditë heshtjeje nga institucionet përballë këtyre veprimeve përbën bashkëpunim me korrupsionin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)