Shkarkohet nga detyra mësuesja që dhunonte nxënësit në Kamëz, policia nis procedurën

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro mesazh sensibilizues për të gjithë prindërit dhe mësuesit.

25.02.2026. 15:12

Shkarkohet nga detyra mësuesja që dhunonte nxënësit në Kamëz, policia nis procedurën

Pas materialit të transmetuar në një emision investigativ, mbi rastin e shkeljes së rëndë profesionale dhe etike nga ana e një mësueseje, e cila dhunonte nxënësit, Ministria e Arsimit njoftoi ngritjen e një grupi pune. Ai do të ndjekë situatën nga afër dhe do të realizojë takime me drejtues të shkollës, psikologë e prindërit e nxënësve të përfshirë në videon e transmetuar.

Me vendim të datës 25 shkurt 2026, janë ndërprerë menjëherë marrëdhëniet e punës me mësuesen.  Lidhur me trajtimin e sjelljeve të dhunshme të mësuesve ndaj nxënësve, janë njoftuar Policia e Shtetit për ndjekjen e procedurave përkatëse si dhe Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve, për të vlerësuar çdo indikator të mundshëm të një situate risku për fëmijët.

“Rasti flagrant i dhunës së ushtruar nga një person që mbante xhaketën e mësuesit është një sjellje e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e arsimit. Nga sot, personi nuk është më pjesë e trupës së mësuesve. Asnjë ngjarje e tillë nuk mund dhe nuk duhet të cenojë punën me përkushtim, me profesionalizëm dhe me pasion të mijëra mësuesve në të gjithë Shqipërinë, të cilët çdo ditë janë modeli më i mirë për fëmijët tanë, deklaroi ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)