Ferrari prezantoi makinën e Botërorit 2026. Njëvendëshja me të cilën skuderia italiane kërkon të rikthehet në majat e Formula 1 quhet SF-26. Pavarësisht kushteve jo të favorshme atmosferike, makina që synon të hedhë pas krahëve zhgënjimin e sezonit të kaluar, u prezantua në pistën e Fioranos.
I pari që u ul në timon ishte Lewis Hamilton, i cili kreu një xhiro testuese me ritëm të moderuar në asfaltin e lagur. Sapo kaloi vijën e finishit, makina iu nënshtrua menjëherë kontrolleve të para teknike nga inxhinierët dhe mekanikët e Ferrarit.
Ngjarja u ndoq nga qindra tifozë, që u paraqitën në Maranello prej orëve të para të mëngjesit. Për shkak të motit, programi u ndryshua. Hamilton e mbylli testin e tij rreth mesditës, për t’ia lënë më pas timonin shokut të skuadrës, Charles Leclerc. Piloti nga Montekarlo zhvilloi disa xhiro me elementët e tij identifikues të vendosur në makinë.
SF-26 u paraqit me të kuqen klasike të Ferrarit, e cila ishte kombinuar ndjeshëm me të bardhën, veçanërisht në pjesën e sipërme. Këto ngjyra sjellin në memorie Ferrarin historik të mesit të viteve ’70 dhe në mënyrë të veçantë, versionin e përdorur vitin e kaluar në Monza, për të festuar 50-vjetorin e titullit të parë botëror të Niki Laudës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)