Krisja e madhe: Bernabeu e fishkëllen, Vinicius heq fanellën e Realit nga rrjetet sociale

Nga mungesa e golit prej 17 ndeshjesh radhazi, te kritikat për sjelljen në fushë dhe kujtimet ende të freskëta ku qeshte në stol pas humbjes ndaj Talavera-s në Kupën e Mbretit.

21.12.2025. 12:23

Krisja e madhe: Bernabeu e fishkëllen, Vinicius heq fanellën e Realit nga rrjetet sociale

Një mbrëmje që duhej të ishte si shumë të tjera është shndërruar në një moment kthese, ndoshta vendimtar, në marrëdhënien mes Vinicius Junior dhe Real Madridit. “Santiago Bernabeu”, stadium që shpesh e ka mbrojtur dhe përkrahur, këtë herë dha një sinjal të fortë: publiku e fishkëlleu ashpër yllin brazilian, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi të ardhmen e tij te klubi mbretëror.

Gjithçka ndodhi në minutën e 83-të të ndeshjes, kur tabela elektronike sinjalizoi zëvendësimin e Viniciusit. Në atë moment, stadiumi u mbush me fishkëllima të forta. Braziliani, i cili mbante shiritin e kapitenit për shkak të mungesës së Carvajal dhe Valverdes, përshkoi fushën për t’ia dorëzuar atë Courtois, i shoqëruar nga një reagim i ashpër i tifozëve.

Arsyet e pakënaqësisë janë të shumta: mungesa e golit prej 17 ndeshjesh radhazi mes klubit dhe kombëtares, kritikat për sjelljen e tij në fushë, si dhe kujtimet ende të freskëta nga imazhet ku qeshte në stol pas humbjes ndaj Talavera-s në Kupën e Mbretit. Vinicius reagoi me qetësi, pa gjeste polemike, duke shkëmbyer vetëm një përqafim me Xabi Alonson përpara se të ulej në stol.

Por nëse reagimi në fushë ishte i përmbajtur, ai në rrjetet sociale ishte i menjëhershëm dhe domethënës. Sapo u kthye në dhomat e zhveshjes, Vinicius ndryshoi foton e profilit në Instagram, duke hequr fanellën e Real Madridit dhe duke e zëvendësuar me një imazh me fanellën e Brazilit. Ai publikoi gjithashtu një postim me shiritin e kapitenit, të shoqëruar vetëm nga tre pika. Një mesazh i shkurtër, por që jep sinjale të qarta për të ardhmen.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)