Çerekfinalja e Kupës, Dinamo mposht lehtë Tiranën, Nuhiu: Do flisnim ndryshe po të kisha Xhixhën

Sfida e parë, e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, midis Dinamos dhe Tiranës u mbyll me fitoren e 'Nëndetëses', me rezultatin 2-0.

11.02.2026. 16:09

Çerekfinalja e Kupës, Dinamo mposht lehtë Tiranën, Nuhiu: Do flisnim ndryshe po të kisha Xhixhën

Dinamo ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, pasi ka mposhtur Tiranën me rezultatin 2-0 në sfidën e parë mes dy ekipeve. Blutë dominuan takimin nga fillimi deri në fund, duke kërkuar vazhdimisht golin, ndërsa bardheblutë u shfaqën më të përmbajtur, në pritje të ndonjë kundërsulmi që nuk arriti të konkretizohej.

Pas një loje këmbëngulëse, ekipi i drejtuar nga Ilir Daja gjeti avantazhin në minutën e 76-të me anë të Vilës. Tirana tentoi të reagonte, por në kohën shtesë Dinamo goditi sërish me Bregun në minutën e 93’, duke e bërë edhe më të vështirë përmbysjen në ndeshjen e kthimit.

Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Tiranës, Ardijan Nuhiju, e lidhi paraqitjen e skuadrës me mungesat dhe gjendjen jo optimale fizike të disa lojtarëve.

“Mungesat ndikojnë padiskutim se janë futbollistë shumë të rëndësishëm për ne. Ky ishte maksimumi i skuadrës sot, pashë që nuk ka freski te grupi. Na e vështirësoi edhe ndërrimi i Ndong, i cili e kërkoi edhe mes pjesëve, por shtrëngoi dhëmbët të ishte me skuadrën edhe disa minuta. Nuk deshëm ta rrezikonim se na duhet në kampionat”, u shpreh Nuhiju.

Tekniku bardheblu theksoi se skuadra u detyrua të bëjë ndryshime taktike për të menaxhuar situatën dhe për të menduar edhe për ndeshjen e radhës në kampionat.

“Me ndërrimet e mesfushorëve u mundova të freskoj skuadrën, duke menduar edhe ndeshjen në kampionat që është e rëndësishme për ne. Ishim në sulm vetëm me një lojtar, por avancuam edhe Voglin e Patrik. U përpoqëm të kishim më shumë lojtarë në mesfushë, të mbyllnim pikat e pasimit dhe të kapnim ndonjë kundërsulm”, shpjegoi ai.

Nuhiju pranoi se situata do të ishte ndryshe nëse skuadra do të kishte të gjithë futbollistët në dispozicion.

“Po të kisha Alvarez, Xhixhën apo Ernest në formë, do flisnim ndryshe. Përveç mungesave, ka lojtarë që nuk janë në gjendje të mirë sepse janë bashkuar shumë vonë dhe është e vështirë të dalësh te ajo që ke përgatitur. Koha ka qenë e shkurtër”, vijoi trajneri.

Ai e cilësoi rezultatin të favorshëm për kundërshtarin, por jo një dorëzim nga ana e Tiranës.

“Padiskutim na vjen keq, nuk them se është dorëzim, por është rezultat shumë pozitiv për kundërshtarin. Ka edhe 90 minuta, por përqendrimi është te kampionati dhe ndeshja e radhës. Urojmë të kthehen sa më shpejt lojtarët që të kemi më shumë forca dhe ndërrime që të ndihmojnë skuadrën”, përfundoi Nuhiu.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)