Mesfushori shqiptar Nazmi Gripshi pati një debutim të shkëlqyer në shtëpi me fanellën e Rubin Kazan, duke shënuar gol dhe duke u shpallur “Lojtari i Ndeshjes” në fitoren 2-1 ndaj liderëve të kampionatit, Krasnodar.
Takimi u zhvillua në kuadër të javës së 20-të të Premier Ligës ruse, ku skuadra e Rubinit synonte ta niste me fitore fazën pranverore të kampionatit.
Gripshi e zhbllokoi sfidën në minutën e 24-të. Mesfushori mori një top jashtë zonës, avancoi drejt portës dhe pasi dribloi bukur një mbrojtës kundërshtar, goditi saktë për të dërguar topin në rrjetë dhe për t’i dhënë epërsinë 1-0 ekipit të tij.
Ish-futbollisti i Ballkanit qëndroi në fushë deri në minutën e 77-të dhe paraqitja e tij u vlerësua maksimalisht edhe nga platforma statistikore SofaScore, e cila e shpalli lojtarin më të mirë të ndeshjes me notën 8.2.
Në këtë takim nga minuta e parë për Rubin Kazan luajti edhe mesfushori Veldin Hoxha, i cili qëndroi në fushë deri në minutën e 87-të. Ndërkohë, sulmuesi kuqezi Mirlind Daku mungoi për shkak se ende nuk është rikuperuar plotësisht nga një lëndim.
Pas javës së 20-të, Krasnodar vazhdon të mbajë vendin e parë në tabelë me 43 pikë, ndërsa Rubin Kazan renditet në pozitën e shtatë me 26 pikë.
Komente (0)