NASA ka vendosur të pezullojë projektin për ndërtimin e stacionit hapësinor “Gateway” në orbitën hënore, duke zhvendosur fokusin drejt krijimit të një baze në sipërfaqen e Hënës dhe arritjes së një pranie të qëndrueshme të njerëzve atje. Vendimi u bë i ditur gjatë eventit “Ignition”, ku agjencia amerikane prezantoi një seri nismash të reja në kuadër të politikës hapësinore kombëtare dhe forcimit të lidershipit amerikan në hapësirë.
Sipas deklaratës së NASA-s, projekti “Gateway” në formën aktuale do të ndalet, ndërsa burimet do të përqendrohen në zhvillimin e infrastrukturave, që mundësojnë operacione të qëndrueshme në sipërfaqen e Hënës. Megjithatë, pajisjet e përshtatshme dhe bashkëpunimet ndërkombëtare do të vazhdojnë të shfrytëzohen për arritjen e këtyre objektivave.
NASA ka paraqitur edhe një plan me disa faza për ndërtimin e bazës hënore. Në fazën e parë do të rritet ritmi i misioneve robotike, me deri në 30 ulje në Hënë duke filluar nga viti 2027, për të testuar teknologji dhe për të avancuar kërkimin shkencor.
Faza e dytë parashikon ndërtimin e infrastrukturave të para gjysmë të banueshme dhe krijimin e një sistemi të rregullt logjistik. Ndërsa në fazën e tretë do të ndërtohen strukturat kryesore që do të mundësojnë një prani të vazhdueshme njerëzore në Hënë, duke përfshirë edhe habitatet shumëfunksionale.
NASA synon gjithashtu të nisë deri në vitin 2028 një anije hapësinore me forcë shtytëse bërthamore drejt Marsit, të quajtur “Space Reactor-1 Freedom”. Kjo anije do të transportojë dronë apo helikopterë të ngjashëm me “Ingenuity” për të vazhduar eksplorimin e Planetit të Kuq. Sipas NASA-s, kjo teknologji do të mundësojë transport më efikas në hapësirën e thellë dhe do të hapë rrugën për misione të reja përtej Jupiterit, ku panelet diellore nuk janë të mjaftueshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)