Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese të mërkurën projektligjin për Politikën e Mbrojtjes, me vlerë 901 miliardë dollarë, duke i hapur rrugë dërgimit të tij në Shtëpinë e Bardhë për firmosje nga presidenti Donald Trump.
Bëhet fjalë për Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, një kompromis mes varianteve të miratuara më herët nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.
Projektligji autorizon shpenzime rekord vjetore për ushtrinë amerikane, përfshirë një rritje page prej 4% për trupat, blerje të pajisjeve ushtarake dhe investime për rritjen e konkurrueshmërisë ndaj rivalëve strategjikë të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë.
Projektligji u miratua në Senat me 77 vota pro dhe 20 kundër, duke reflektuar mbështetje të fortë dypartiake. Dhoma e Përfaqësuesve e kishte kaluar ligjin javën e kaluar.
Në një devijim nga qëndrimet e presidentit Trump, i cili ka shfaqur një qasje më të butë ndaj Rusisë dhe një rishikim të marrëdhënieve me Evropën, ligji i mbrojtjes i këtij viti përfshin disa dispozita për forcimin e sigurisë evropiane.
Ligji parashikon 800 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën, të ndarë në dy vite, në kuadër të Iniciativës së Ndihmës së Sigurisë për Ukrainën, e cila financon furnizimin me armë përmes kompanive amerikane.
Po ashtu, ai autorizon Iniciativën e Sigurisë Baltike dhe siguron 175 milionë dollarë për mbështetjen e mbrojtjes së Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Ai vendos kufizime ndaj Departamentit të Mbrojtjes për të mos ulur praninë ushtarake amerikane në Evropë nën 76 mijë trupa dhe ndalon heqjen e komandantit amerikan nga posti i Komandantit Suprem të NATO-s.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)