“Nuk të njoh, por do kesh probeme”, Trump i përgjigjet kryeministrit të Groenlandës: Do ta marrim ishullin!

Kryeministri i Groenlandës tha dje se vendi i tij po zgjedh Danimarkën mbi SHBA-në, por Donald Trump theksoi sot se Amerika do ta bëjë ishullin pjesë të saj për ta bërë edhe NATO-n më të fortë, ndërsa në Uashington do të zhvillohet një takim i nivelit të lartë për këtë çështje.

14.01.2026. 15:18

“Nuk të njoh, por do kesh probeme”, Trump i përgjigjet kryeministrit të Groenlandës: Do ta marrim ishullin!

Çështja e Groenlandës vijon të mbetet e nxehtë dhe Donald Trump shprehu mospajtimin e tij me atë që u tha nga Kryeministri i ishullit Arktik, në deklaratat për gazetarët të hënën, ku e bëri të qartë se banorët aty zgjedhin Danimarkën në vend të Shteteve të Bashkuara.

Kur u pyet për qëndrimin e tij, presidenti amerikan tha së nuk e njeh Jens-Fredrik Nielsen.

“Nuk pajtohem me të. Nuk e di kush është, nuk di asgjë për të, por kjo do të jetë një problem i madh për të", deklaroi Trump.

Më pas në një postim në Truth Social, Donald Trump e bëri të qartë se ishulli më i madh në botë, Groenlanda, do të kalojë nën kontrollin e SHBA-së, ndërsa theksoi se "asgjë më pak nuk është e pranueshme" për Uashingtonin.

"NATO bëhet shumë më e fortë dhe më efektive me Groenlandën në duart e Shteteve të Bashkuara", theksoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

“Nëse ne nuk e bëjmë, Rusia ose Kina do ta bëjnë, dhe kjo nuk do të ndodhë”, shtoi Trump.

Postimi i tij vazhdon duke thënë se “Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën për arsye sigurie kombëtare”.

“Është jetike për Kupolën e Artë që po ndërtojmë. NATO duhet të na udhëheqë drejt blerjes së saj. Nga një perspektivë ushtarake, pa fuqinë e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara, të cilën e ndërtova gjatë mandatit tim të parë dhe që tani po e çoj në një nivel të ri, edhe më të lartë, NATO nuk do të ishte një forcë apo pengesë efektive! Ata e dinë këtë, dhe unë e di gjithashtu. NATO bëhet shumë më e fortë dhe më efektive me Groenlandën në duart e SHTETEVE TË BASHKUARA. Çdo gjë më pak është e papranueshme. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shkruan Trump.

Ndërkohë, vërehet se sot, ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës do të jenë në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me J.D. Vance dhe Marco Rubio, me qëllim qetësimin e krizës në lidhje me ishullin Arktik, një rajon autonom që i përket Danimarkës dhe të cilin Trump dëshiron ta vërë nën kontrollin e SHBA-së.

Cili mund të jetë qëllimi i vërtetë i Trump për Groenlandën?

Sipas Politico, qëllimi i vërtetë i Trump mund të mos lidhet me çështjet e sigurisë apo burimet natyrore të Groenlandës, siç është argumentuar herë pas here. Publikimi thekson se, nëse interesi lidhej me mineralet e ishullit, Danimarka i kishte ofruar për vite me radhë Shteteve të Bashkuara mundësinë e investimit në Groenlandë, një ofertë që Uashingtoni nuk e pranoi.

Në mënyrë të ngjashme, nëse motivi kryesor ishte kufizimi i ndikimit të Kinës dhe Rusisë në Arktik, zgjidhja mund të ishte më e thjeshtë, pasi Shtetet e Bashkuara mund të forconin zyrtarisht praninë e tyre ushtarake në ishull, me pëlqimin e Kopenhagenit, pa ngritur çështjen e sovranitetit.

Megjithatë, në Bruksel, një interpretim i ndryshëm po fiton terren. Siç përmbledh një diplomat evropian, Donald Trump dëshiron të hyjë në histori si njeriu që e bëri Amerikën "më të madhe", madje edhe në terma gjeografikë, duke i dhënë debatit për Groenlandën një karakter të fortë simbolik dhe politik.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)