Përmbytjet, Prokuroria e Durrësit sekuestron dokumentet e hidrovorit në Porto Romano

Akuza për parregullsi gjatë tenderit 19 milionë euro, dyshohet se hidrovori nuk ka qenë funksional në momentin e reshjeve, duke ndikuar në përkeqësimin e situatës.

13.01.2026. 13:32

Përmbytjet, Prokuroria e Durrësit sekuestron dokumentet e hidrovorit në Porto Romano

Pas përmbytjeve që goditën qarkun e Durrësit, Prokuroria e këtij qyteti nisi veprimet konkrete hetimore. Hetuesit sekuestruan dokumentacionin që lidhet me projektimin, tenderimin dhe zbatimin e hidrovorit të Porto Romanos.

Hetimet kanë nisur për të zbardhur shkaqet e situatës së rëndë që solli humbjen e një jete, ku viktima ishte punonjësi i ndërmarrjes komunale, Astrit Hysenaj, si edhe dëme të konsiderueshme materiale që përllogariten në miliona euro, me përmbytjen e afro 1500 banesave, si edhe sipërfaqeve të mëdha të tokave bujqësore.

Burime zyrtare njoftuan se prokuroria ka marrë dokumentet e studimit dhe projektit për rehabilitimin e rrjetit të kullimit dhe sistemit të ujërave të shiut në zonën nga Porto Romano deri në Kënetë, por  edhe në territorin urban të qytetit të Durrësit.

Gjithashtu, nga Bashkia e Durrësit është sekuestruar e gjithë dosja e procedurës së tenderit për ndërtimin e hidrovorit, si dhe dokumentet që lidhen me fazën e zbatimit të punimeve. Sipas Prokurorisë, ekzistojnë dyshime serioze se hidrovori nuk ka qenë funksional në momentin e reshjeve, duke ndikuar në përkeqësimin e përmbytjeve.

Punimet për hidrovorin, me vlerë rreth 19 milionë euro, janë realizuar nga bashkimi i tre kompanive, njëra prej të cilave është në pronësi të babait të ish-drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, Spartak Kovaçi. Ky fakt ka ngritur dyshimet nga organi i akuzës për parregullsi në procedurën e prokurimit. Procedimi penal në Prokurorinë e Durrësit është regjistruar për veprat “shpërdorim detyre”, “përmbytje të pronës me pasoja të rënda” dhe “përmbytje nga pakujdesia”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)