Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka refuzuar ofertën e Ukrainës për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes kundër dronëve iranianë, armë të cilat prej kohësh janë përdorur nga Rusia dhe të cilat po shkaktojnë dëme të mëdha në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për Fox News të transmetuar më 13 mars, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për ndihmën e Kievit në këtë fushë. “Ne dimë më shumë për dronët se kushdo tjetër. Ne kemi dronët më të mirë në botë”, deklaroi ai.
Refuzimi vjen pasi presidenti Zelensky kishte ofruar të ndante përvojën dhe teknologjinë e saj të fituar në fushëbetejë për t’u përballur me dronët sulmues të prodhimit iranian Shahed.
Zelensky kishte deklaruar më herët se Kievi ishte i gatshëm të bashkëpunonte me SHBA-në dhe vendet e Lindjes së Mesme për mbrojtjen ndaj sulmeve me dronë.
Sipas Zelenskyt, më shumë se dhjetë vende kanë kërkuar tashmë ndihmën e ekspertëve ukrainas në këtë fushë, ndërsa ekipe teknike janë dërguar në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërkohë, përvoja e Ukrainës në luftën me dronë është rritur për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga Rusia. Vetëm mes dhjetorit 2025 dhe shkurtit 2026, sipas Kievit, forcat ruse kanë lëshuar rreth 19 mijë dronë sulmues ndaj territorit ukrainas.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur konflikti në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar pas përplasjes mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, i cili ka lëshuar qindra raketa balistike dhe mijëra dronë drejt vendeve të rajonit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)