Ushtarë rusë në vijën e frontit po detyrohen të përdorin kuaj dhe mushka për të realizuar lëvizjet dhe furnizimet, për shkak të mungesës së pajisjeve ushtarake dhe shkatërrimit të mjeteve logjistike. Pamjet janë shpërndarë nga ushtria ukrainase dhe kanë ngjallur reagime të forta për gjendjen e forcave ruse në terren.
Ushtarakë të Brigadës së 92-të Sulmuese të Ukrainës kanë publikuar një video ku shihen dhjetëra ushtarë rusë, që lëvizin me kuaj dhe mushka në një fushë të hapur, të ekspozuar ndaj dronëve ukrainas. “Në sulmet e tyre të përsëritura ku hidhen si mish për top, humbasin shumë shpejt pajisjet dhe detyrohen të lëvizin me kafshë”, thuhet në deklaratën shoqëruese të pamjeve.
Sipas ekspertëve të pavarur, të cilët kanë analizuar videon, pamjet janë lokalizuar në rajonin e Dnipros. Video e publikuar më 22 dhjetor, tregon se forcat ruse po përpiqeshin të sulmonin një pozicion ukrainas duke përdorur një kalë si mjet transporti. Sulmi u zbulua nga ajri dhe u neutralizua shpejt nga një dron ukrainas, përpara se trupat të arrinin objektivin.
Edhe pse duket diçka e pazakontë, ky incident përputhet me raportime të mëparshme sipas të cilave njësitë ruse në vijën e parë po mbështeten gjithnjë e më shumë te kafshët, si zëvendësim për automjetet ushtarake të shkatërruara ose të padisponueshme. Për shkak të humbjeve të vazhdueshme të kamionëve dhe mjeteve të blinduara, disa njësi ruse janë pajisur me gomarë për transportimin e municioneve, furnizimeve dhe pajisjeve në zona të kontestuara, ku logjistika tradicionale është bërë e pamundur.
Disa kanale ruse në “Telegram” kishin raportuar më herët për futjen e gomarëve në njësitë e frontit. Disa ushtarë kanë shprehur habinë dhe pakënaqësinë e tyre. “Kemi probleme serioze me transportin; kamionët tanë shkatërrohen. Tani kemi një gomar për të transportuar municionet. Një gomar i vërtetë, i gjallë”, citohet të ketë shkruar një ushtar rus.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)