Macron tregon muskujt, stërvitje me ushtarët francezë, shefi i Elizesë u gatuan edhe ushqim

Presidenti u zhvesh nga kostumi i Kreut të Shtetit duke u ushtruar me regjimentin francez dhe vrapoi me ushtarët, përpara se të gjithë së bashku të shijonin një vakt të përgatitur nga shefi i kuzhinës së Elizesë.

Burimi: AP

23.12.2025. 09:47

Macron tregon muskujt, stërvitje me ushtarët francezë, shefi i Elizesë u gatuan edhe ushqim

Pak pasi njoftoi se Franca do të zëvendësojë aeroplanmbajtësen kryesore të saj me energji bërthamore, Charles de Gaulle, duke investuar 12 miliardë euro për ndërtimin e një të reje, shefi i Elizesë Emmanuel Macron u ndal në një bazë ushtarake në Abu Dhabi për të takuar trupat franceze të dislokuara aty.

Në bazën ushtarake “Al Dhafra” në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku janë të stacionuar ushtarë francezë, që kontribuojnë në mbikëqyrjen e zonave strategjike, mbështetjen e operacioneve kundër terrorizmit dhe stabilizimin rajonal, Macron u kujdes që të bëhej një me trupat franceze.

Presidenti u zhvesh nga kostumi i Kreut të Shtetit duke u ushtruar me regjimentin francez dhe vrapoi me ushtarët, përpara se të gjithë së bashku të shijonin një vakt të përgatitur nga shefi i kuzhinës së Elizesë.

Macron mbërriti në Emiratet e Bashkuara Arabe më herët të dielën për të festuar Krishtlindjet me trupat franceze dhe për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe me shtetin e Gjirit, ndërsa Franca shpreson për më shumë bashkëpunim në luftën e saj kundër trafikut të drogës.

Presidenti francez tradicionalisht i feston festat e fundvitit me trupat e dislokuara jashtë vendit, që nga viti 2017, ku ndan me ta edhe një vakt Krishtlindjeje të përgatitur nga kuzhinierët e Pallatit Elize.

Më shumë se 900 prej këtyre trupave ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Franca bashkëpunon me Emiratet e Bashkuara Arabe në fusha që përfshijnë inteligjencën artificiale dhe tregtinë, dhe tani kërkon të sigurojë mbështetjen e shtetit të Gjirit në luftën e saj kundër trafikut të drogës. Besohet se trafikantë të mëdhenj kanë gjetur strehë në Emiratet e Bashkuara Arabe, veçanërisht në Dubai, dhe mendohet se disa prej tyre kanë ndërtuar portofolë të konsiderueshëm pronash të paluajtshme atje.

Delegacioni francez përfshin Ministrin e Drejtësisë, Gérald Darmanin, i cili muajin e kaluar i bëri thirrje Emirateve të Bashkuara Arabe të ekstradojnë rreth 15 trafikantë të dyshuar droge që kërkohen nga Franca.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)